Në Kinë janë zbuluar 241 fragmente të qelibarit fosil, të cilat rezultojnë 65 milionë vjet më të vjetra se rekordi i mëparshëm. Studimi, i publikuar në revistën Science Advances, sugjeron se bimët prodhonin rrëshirë mbrojtëse shumë kohë përpara shfaqjes së insekteve të mëdha barngrënëse.
Qelibari është një nga fosilet më të çmuara, jo vetëm për bukurinë e tij, por edhe sepse ruan për miliona vite gjurmë të jetës së lashtë. Brenda tij mund të ruhen gjethe, polen, insekte dhe madje edhe vertebrorë të vegjël, duke u kthyer në një “kapsulë kohe” të historisë së Tokës. Për këtë arsye, zbulimi i qelibarit më të vjetër të njohur deri më sot nuk është vetëm një rekord i ri, por mund të ndryshojë mënyrën se si shkencëtarët e kuptojnë origjinën dhe funksionin e kësaj rrëshire fosile.
Qelibari është rrëshirë e fosilizuar, e prodhuar nga pemët për të mbyllur plagët në lëvore dhe për t’u mbrojtur nga insektet e parazitët. Me kalimin e kohës, ajo ngurtësohet dhe fosilizohet, duke bllokuar organizma ose materiale organike.
Deri më tani, qelibari më i vjetër datonte rreth 325 milionë vjet më parë, gjatë periudhës së Karboniferit. Për këtë arsye besohej se prodhimi i rrëshirës ishte një përshtatje evolutive që lindi si përgjigje ndaj shfaqjes së insekteve që ushqeheshin me bimë.
Ekipi i Akademisë Kineze të Shkencave zbuloi 241 fragmente në një shtresë qymyri në veriperëndim të Kinës. Datimi fillestar tregoi se ato ishin rreth 385 milionë vjeçare, aq të vjetra sa studiuesit menduan se nuk bëhej fjalë për rrëshirë fosile. Megjithatë, analizat kimike konfirmuan se fragmentet ishin qelibar i vërtetë, duke e shtyrë rekordin botëror me 65 milionë vjet.
Shkencëtarët ende nuk kanë identifikuar llojin e pemës që prodhoi këtë rrëshirë, por besojnë se ajo kishte funksion mbrojtës. Edhe pse insektet nuk ishin ende shumë të përhapura, ekosistemi i asaj kohe përballej me kërcënime si kërpudhat parazitare dhe zjarret e shpeshta. Kjo tregon se rrëshira mund të ketë evoluar fillimisht për t’u mbrojtur nga këta faktorë.
Sipas autorëve të studimit, ky zbulim e shtyn historinë e evolucionit të pemëve me të paktën 65 milionë vjet më herët nga sa mendohej. Ata besojnë se format e para të prodhimit të rrëshirës mund të jenë edhe më të lashta, duke datuar deri rreth 540 milionë vjet më parë.
