Komisioni Evropian ka nisur një proces rekrutimi për të rritur numrin e stafit në njësitë përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zbatimin e rregullave të reja të Bashkimit Evropian për inteligjencën artificiale.
Ekzekutivi i BE-së bëri të ditur se po kërkon agjentë me kontratë për dy njësi të Zyrës së Inteligjencës Artificiale, e cila është krijuar dy vite më parë dhe funksionon brenda departamentit të teknologjisë së Komisionit Evropian, DG Connect.
Zgjerimi i stafit vjen në një moment kur zyra merr kompetenca më të mëdha për zbatimin e Aktit të Inteligjencës Artificiale të BE-së, përfshirë mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj kompanive që nuk respektojnë kërkesat e reja.
Njëra prej njësive që kërkon punonjës merret me rregullimin dhe pajtueshmërinë e sistemeve të inteligjencës artificiale, ndërsa tjetra fokusohet në monitorimin e rreziqeve që lidhen me modelet e avancuara të IA-së, përfshirë sulmet kibernetike dhe humbjen e kontrollit mbi këto teknologji.
Aktualisht, dy njësitë kanë një staf të përbashkët prej 71 personash, ndërsa Komisioni Evropian synon të hapë rreth 40 vende të reja pune gjatë vitit 2027.
Me hyrjen në fuqi të kompetencave të reja, Zyra e IA-së do të ketë autoritet më të madh për të kontrolluar mënyrën se si kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale menaxhojnë rreziqet e modeleve të tyre. Në raste shkeljesh, ajo mund të vendosë gjoba ose t’u kërkojë ofruesve të tërheqin modele të caktuara nga tregu.
Përpara zgjerimit të kompetencave, disa politikëbërës të BE-së dhe ekspertë të fushës kishin shprehur shqetësime nëse Zyra e Inteligjencës Artificiale kishte kapacitetet e nevojshme për të mbikëqyrur modelet më të fuqishme të IA-së./kb
