Last Updated on 01/08/2026 by Monika
Një zbulim arkeologjik në sitin e Tell Brak në verilindje të Sirisë mund të përfaqësojë rastin më të hershëm të njohur të dhunës ndaj një foshnje. Studiues nga Universiteti i Varshavës analizuan skeletin e një fëmije që jetoi rreth 6.000 vjet më parë, gjatë periudhës së Kalkolitit të Vonë, dhe gjetjet u publikuan në revistën International Journal of Osteoarchaeology.
Analizat treguan se foshnja kishte vdekur në moshën 6–9 muajshe. Në pjesën e përparme të kraharorit u zbuluan katër brinjë të thyera, të cilat ishin në fazë shërimi. Kjo tregon se fëmija kishte mbijetuar për një periudhë pas traumës dhe nuk kishte humbur jetën menjëherë. Skeleti shfaqte gjithashtu dëmtime në kafkë dhe një rritje jonormale të kockës së kofshës, shenja që mund të lidhen me stres të rëndë metabolik ose infeksione.
Në mjekësinë ligjore moderne, frakturat e brinjëve te foshnjat nën një vjeç konsiderohen një tregues i fortë i abuzimit, pasi në këtë moshë fëmijët nuk janë ende të aftë të lëvizin në mënyrë të pavarur për të pësuar dëmtime të tilla nga rënie aksidentale.
Studiuesit shqyrtuan edhe shpjegime të tjera, si sëmundje të zhvillimit, mungesa ushqimore, trauma gjatë lindjes apo çrregullime të lindura, por asnjë prej tyre nuk përputhej me llojin dhe shpërndarjen e dëmtimeve. Sipas autorëve të studimit, shpjegimi më i mundshëm është një traumë e shkaktuar nga një ngjeshje e fortë e kraharorit ose një goditje e drejtpërdrejtë.
Krahasimi me 38 skelete të tjera fëmijësh të varrosur në të njëjtin varrezë tregoi se asnjëri nuk kishte shenja të ngjashme dhune, duke e bërë këtë një rast të izoluar.
Arkeologët mendojnë se ngjarja mund të lidhet me kushtet sociale të kohës. Në atë periudhë, Tell Brak ishte një nga qendrat e para urbane të Mesopotamisë veriore dhe po përjetonte një rritje të shpejtë të popullsisë, pabarazi sociale dhe tensione të mëdha, faktorë që mund të kenë ndikuar në shtimin e rasteve të dhunës. Megjithatë, studiuesit theksojnë se, edhe pse provat janë në përputhje me një traumë jo aksidentale, nuk është e mundur të thuhet me siguri absolute se bëhet fjalë për rastin më të vjetër të dhunës ndaj një fëmije, pasi interpretimi bazohet vetëm në dëshmitë e ruajtura në skelet.
