Epoka e një hegjemonie amerikane beninje dhe e një vetëkënaqësie evropiane fitimprurëse ka marrë fund.
Ulrich Krotz y Ben Körte*
Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022 shënoi fillimin e zgjimit strategjik të Evropës, megjithëse nuk ka qenë shkaku i vetëm. Rikthimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025 e ka thelluar dhe mprehur më tej ndjesinë e pasigurisë gjeopolitike. Së bashku, këto ngjarje, pasojat e tyre dhe sfidat e ngritura kanë shkatërruar iluzionet evropiane të periudhës pas Luftës së Ftohtë mbi mundësinë e garantimit të paqes dhe stabilitetit afatgjatë përmes ndërvarësisë ekonomike, organizatave rajonale e ndërkombëtare dhe institucionalizimit; po ashtu edhe iluzionet për ta marrë si të mirëqenë udhëheqjen amerikane.
Epoka e një hegjemonie amerikane beninje dhe e një vetëkënaqësie evropiane fitimprurëse ka përfunduar. Ajo që mbetet është një botë e fragmentuar dhe e paqëndrueshme, e formësuar nga rivaliteti sistemik mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë. Pikat e nxehta shtrihen nga Ukraina në Tajvan, nga Kaliningradi në Gaza, dhe nga Izraeli në Iran. Për Evropën, dhe veçanërisht për Gjermaninë, pasiviteti nuk është më një opsion.
Pas agresionit rus dhe hezitimeve të SHBA-së, evropianët dhe Bashkimi i tyre kanë filluar të riorientohen. Ajo që për shumëkënd dukej si një arkitekturë e qëndrueshme sigurie, tani po shndërrohet në një mozaik përgjigjesh kombëtare dhe ambiciesh të reja kolektive. Pyetja nuk është më nëse Evropa do të përgjigjet, por si dhe me çfarë koherence. Rregullimi evropian përfshin një sërë masash; ndër to, një rritje drastike të shpenzimeve të mbrojtjes që nënkupton një program ambicioz (ri)armatimi, blerje të përbashkëta municionesh, subvencione për prodhuesit e pajisjeve të mbrojtjes, si dhe futjen e një Strategjie Industriale Evropiane të Mbrojtjes (EDIS).
Gjermania ka kaluar një prag strategjik (në aspektin material, institucional dhe diskursiv) që mund të përkufizohet vetëm si ndryshimi më i rëndësishëm në mbrojtje që nga Lufta e Dytë Botërore.
Për më tepër, një bashkëpunim evropian i ri ose i përmirësuar në fushën e mbrojtjes është sot i aksesueshëm për “vende me mendësi të njëjtë” përmes marrëveshjeve të partneritetit në siguri, të negociuara së fundmi. Pas vitesh marrëdhëniesh të ngrira si pasojë e Brexit-it, për shembull, Brukseli dhe Londra nënshkruan në maj të vitit 2025 një marrëveshje partneriteti në siguri që lejon blerje të përbashkëta, rikthen dialogun politik dhe përshkruan bashkëpunimin në misione, stërvitje dhe teatro strategjike nga Arktiku deri në Indo-Paqësor. BE-ja po zgjeron gjithashtu rrjetin e saj të partnerëve globalë. Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut dhe India kanë nënshkruar ose po negociojnë marrëveshje strategjike sigurie, disa me komponentë industrialë dhe të tjera të përqendruara në sigurinë detare dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit.
Në mes të gjithë kësaj, dhe shumë e lidhur me të, trajektorja, roli dhe qëndrimet e Gjermanisë po evoluojnë. Kjo dinamikë përfshin disa ndryshime strukturore, si rishpërkufizimi i prioriteteve strategjike përmes një investimi të rëndësishëm afatgjatë në mbrojtje, miratimi i një qëndrimi më të fortë në çështjet e sigurisë dhe shkëputja e shpenzimeve të sigurisë nga kufizimet buxhetore të zakonshme. Këto lëvizje shoqërohen nga një ndryshim në retorikën politike, që largohet nga dekada të tëra kujdesi ekstrem.
Së bashku, të gjitha këto zhvillime tregojnë se Gjermania ka kaluar një prag strategjik (në terma materialë, institucionalë dhe diskursivë), në mënyrë të tillë që skenari i ri mund të përkufizohet vetëm si ndryshimi më i rëndësishëm në mbrojtjen e vendit që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, konkretizimi i plotë i këtij Zeitenwende, këtij ndryshimi epokal, ende nuk është materializuar. Nuk është e qartë se sa larg do të shkojë Gjermania në këtë trajektore të re, as se në cilin destinacion do të mbërrijë saktësisht.
SHKURT 2022
‘Zeitenwende’ 1 apo vetëm një aludim i një ‘Zeitenwende’?
Si reagim i menjëhershëm, tre ditë pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, më 27 shkurt 2022, kancelari i atëhershëm Olaf Scholz mbajti para Bundestagut, parlamentit gjerman, atë që u quajt menjëherë fjalimi i Zeitenwende-s. Scholz shpalli krijimin, si përgjigje ndaj agresionit rus, të një fondi të posaçëm buxhetor, një Sondervermögen prej 100 miliardë eurosh për modernizimin e forcave të armatosura gjermane.
Për dekada me radhë, Gjermania ishte përshkruar si një “aleat herë i pavullnetshëm, herë i besueshëm”, i karakterizuar nga vetëpërmbajtja ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore, varësia nga kornizat e aleancave dhe një skepticizëm i thellë ndaj përdorimit të forcës ushtarake. Qëndrimi i saj në siguri dhe mbrojtje ishte kryesisht reaktiv dhe me profil të ulët, duke privilegjuar diplomacinë, mjetet ekonomike dhe multilateralizmin ndaj fuqisë së fortë.
Ndërsa rendi botëror po copëtohet, Gjermania po ripozicionohet jo vetëm si fuqi kombëtare, por edhe si ankorë diplomatike brenda Evropës, duke ndërtuar ura mes Lindjes dhe Perëndimit.
Fillimisht, duke pasur parasysh këtë sfond, shumë vëzhgues e minimizuan fjalimin e Scholz-it si një gjest simbolik; politikisht domethënës, por pa vazhdimësi. Megjithatë, në dritën e vendimeve të marra në muajt dhe vitet pasuese, fjalimi i 27 shkurtit po shihet gjithnjë e më shumë jo si shpallje e një ndryshimi strategjik, por si një aludim për diçka shumë më të madhe në shkallë.
PRANVERË 2025
‘Zeitenwende’ 2.0 apo Zeitenwende në shkallë të plotë
Pasi fitoi zgjedhjet, por ende pa marrë zyrtarisht detyrën, kancelari i ardhshëm Friedrich Merz negocioi (së bashku me partinë e tij CDU dhe CSU, SPD-në, të Gjelbrit dhe FDP-në liberale) një amendament kushtetues ndërpartiak për të krijuar një fond të ri jashtëbuxhetor dhe për të hequr kufizimet fiskale mbi shpenzimet e mbrojtjes. Më 12 dhe 18 mars, Bundestagu e miratoi amendamentin me shumicën e nevojshme prej dy të tretash.
Reforma kushtetuese lejon që shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë mbi 1,5% të PBB-së të shmangin frenën kushtetuese të borxhit (Schuldenbremse). Kështu, shpenzimet mund të rriten shumë ndjeshëm dhe, në teori, të mos kenë kufi. Heqja e Schuldenbremse-s kushtetuese për shpenzimet e mbrojtjes është “çfarëdo që të duhet” e Merz-it.
Rreth dy muaj më vonë, më 14 maj, Merz paraqiti vizionin e tij për ta kthyer ushtrinë gjermane në “më të fortën në Evropë”. Në aspektin e gatishmërisë ushtarake, orientimit strategjik dhe sinjalizimit politik, Gjermania nuk po mjaftohet me përforcimin e angazhimeve të së kaluarës, por po rimodelon dhe intensifikon plotësisht ambiciet e saj. Nuk bëhet më fjalë vetëm për një reagim të përkohshëm për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Zeitenwende është tani një pikënisje krejtësisht e re në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, diçka që përcakton një normalitet të ri. Gjermania po përjeton një transformim strukturor, ndoshta madje po riformësohet si fuqi ushtarake evropiane e rangut të parë.
Riarmatosja e Evropës
Në vitin 2025, plani i BE-së Riarmatosja e Evropës/Përgatitja 2030 (një tjetër përgjigje ndaj luftës në Ukrainë dhe paqëndrueshmërisë strategjike në rritje) e shtyn Unionin dhe shtetet anëtare drejt një impulsi masiv armatimi që mund të arrijë një shpenzim total të barabartë ose më të madh se 800 miliardë euro. Programi llogarit se një rritje mesatare e shpenzimeve të mbrojtjes prej 1,5% të PBB-së në të gjitha shtetet anëtare mund të gjenerojë deri në 650 miliardë euro hapësirë fiskale kombëtare në katër vjet. Kjo mund të plotësohet me një instrument huadhënieje të propozuar prej 150 miliardë eurosh për investime në mbrojtje.
Gjermania jo vetëm që merr pjesë në këtë përpjekje, por është thelbësore për të. Nuk ka dyshim se industria evropiane e armatimit ka vuajtur për një kohë të gjatë nga dyfishime, mungesë kapacitetesh, përputhshmëri e pamjaftueshme (ndërveprueshmëri) e sistemeve kombëtare ose koalicionale dhe fragmentim i blerjeve. Kapaciteti fiskal, baza industriale dhe pesha politike e Berlinit e bëjnë vendin një komponent të domosdoshëm në çdo rritje koherente të mbrojtjes evropiane. Nga blerjet e përbashkëta te shpenzimet infrastrukturore, përfshirja e Gjermanisë përcakton si shkallën ashtu edhe besueshmërinë e nismës. Pa Gjermaninë, Riarmatosja e Evropës mbetet një aspiratë ose një slogan. Me Gjermaninë, mund të shndërrohet në pjesë të një strategjie.
Ndryshimet e Gjermanisë: shumëdimensionale dhe themelore
Megjithatë, shifrat e shpenzimeve të mbrojtjes dhe armatimit, të marra veçmas, nuk arrijnë të pasqyrojnë ndryshimet në qëndrimet gjermane të sigurisë. Ndryshimi është shumëdimensional dhe thelbësor. Në aspektin e sjelljes politike dhe ndryshimeve reale operative, që nga viti 2022 Gjermania (pas disa hezitimeve fillestare) ka filluar të armatosë masivisht Ukrainën. Kështu, ajo kalon një tjetër prag strategjik: dorëzon armë në një zonë lufte aktive, diçka e paimagjinueshme për një kohë të gjatë për gjermanët e pas Luftës së Dytë Botërore.
Për më tepër, Bundeswehr-i, forcat e armatosura gjermane, ka ndërmarrë misione më të rrezikshme; veçanërisht një dislokim me zjarr real në Detin e Kuq kundër rebelëve huthi. Gjithashtu, në maj të vitit 2025, si pjesë e qëndrimit lindor të NATO-s, krijoi zyrtarisht një brigadë të plotë dhe të përhershme luftarake në qendër të Vilniusit (Lituani). Brigada e re 45 e Bundeswehr-it, që në fund do të përbëhet nga 5.000 efektivë, përfaqëson një largim historik nga zona e rehatisë që ka karakterizuar për dekada politikën e sigurisë së Berlinit. Gjermania nuk kufizohet më te rotacionet e sigurimit; tani po ankoron krahun lindor të NATO-s me një forcë të stacionuar përherë dhe plotësisht të pajisur. Kjo nuk është simbolike, por parandalim me çizme reale në terren.
Dhe, ndërsa rendi botëror po copëtohet, Gjermania po ripozicionohet jo vetëm si fuqi kombëtare, por edhe si ankorë diplomatike brenda Evropës, duke ndërtuar ura mes Lindjes dhe Perëndimit, mes pragmatizmit dhe parimeve. Berlini po rigjallëron lidhje të vjetra si motori franko-gjerman, po rindërton marrëdhëniet e tensionuara me Poloninë dhe po pozicionohet si nyja qendrore e koalicionit evropian pro-Ukrainë. Njëkohësisht, vendi synon të zbusë tensionet transatlantike dhe punon për ta mbajtur SHBA-në (dhe Donald Trump-in) të angazhuar në mbrojtjen e Ukrainës pa prishur konsensusin evropian. Gjermania nuk po zgjedh mes Parisit, Varshavës, Brukselit dhe Uashingtonit; po përpiqet t’i mbajë të gjithë të bashkuar nën një qëllim strategjik të përbashkët: frenimin e Rusisë, mbrojtjen e Ukrainës dhe stabilizimin e Evropës.
Në aspektin doktrinar, Gjermania publikoi Strategjinë e saj të parë Kombëtare të Sigurisë në vitin 2023 dhe përditësoi Udhëzimet e Politikës së Mbrojtjes, duke pranuar një botë multipolare të përcaktuar nga kërcënime strategjike, konkurrencë sistemike dhe një ombrellë sigurie amerikane në rënie. Ndryshimi është shumë i dukshëm edhe në terminologjinë dhe retorikën politike. Fjalë pothuajse të paimagjinueshme pak kohë më parë në debatet gjermane, si Kriegstüchtigkeit (gatishmëri për luftë) ose Abschreckung (parandalim), apo një lloj i ri parandalimi bërthamor evropian, ndoshta nën ombrellën bërthamore të Francës që do të nënkuptonte një depozitimin të ri të armëve bërthamore në territorin gjerman, janë tani mjaft të zakonshme ose (pothuajse) të përgjithshme.
Epokë e re, të ardhme të hapura
Periudha pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar. Epoka e shkurtër e stabilitetit të udhëhequr nga SHBA-ja që pasoi ka mbetur pas, bashkë me logjikën e mbrojtjes strategjike që e shoqëronte. Kanë mbetur pas edhe siguria strategjike dhe shpresat për një rend botëror. Po ashtu, epoka e dividendëve të paqes që evropianët shijuan ose, siç thonë disa, shfrytëzuan. Një kapitull është mbyllur. Konstelacioni i tij gjeopolitik nuk do të rikthehet së shpejti.
Gjermania tani vepron në një botë të formësuar nga fuqi që konkurrojnë hapur; aleanca më pak të qëndrueshme, ndoshta të ndryshueshme; dhe një pasiguri themelore politike ndërkombëtare. Moska nuk tregon asnjë qëllim për t’u tërhequr nga Ukraina. Lidhja transatlantike duket më pak e qëndrueshme se kurrë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Pekini vazhdon të ushtrojë presion mbi Tajvanin dhe të zgjerojë ndikimin e tij në Jugun Global. Ndërsa përpiqet të normalizojë dhe vendosë marrëdhënie të mira me Moskën, vështrimi strategjik i Uashingtonit po zhvendoset me vendosmëri drejt Kinës dhe Indo-Paqësorit, ku e konsideron Kinën si rivalin kryesor afatgjatë.
Në këtë kontekst, Zeitenwende nuk përbëhet vetëm nga një rritje drastike e buxhetit gjerman të mbrojtjes. Nuk është më thjesht një reagim politik për t’u përshtatur me luftën e Rusisë në Ukrainë apo për t’u përballur me një president amerikan të paqëndrueshëm, më pak të besueshëm ose jo të besueshëm. Zeitenwende shënon një përshtatje themelore ndaj një mjedisi ndërkombëtar më kompleks dhe më kërkues. Është gjithashtu një strategji për të ardhmen në një botë ku vëmendja e SHBA-së është diku tjetër, ose madje në një mjedis sigurie pas-amerikan. Dhe lidhet me qëndrueshmërinë politike, diplomatike dhe ushtarake në një botë që duket gjithnjë e më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.
Megjithatë, gjerësia dhe shtrirja përfundimtare e transformimit lënë disa pikëpyetje. Gjermania po riarmatoset, por mbetet e kujdesshme sa i përket përshkallëzimit. Vonesat në prokurime, mungesa e personelit dhe kufizimet e industrisë së mbrojtjes kërcënojnë ta vonojnë zbatimin. Në qendër të kësaj tranzite qëndron një paradoks: Gjermania po demonstron një vullnet të ri për të udhëhequr, shpenzuar dhe marrë përgjegjësinë për sigurinë evropiane, por e bën këtë e shoqëruar nga reflekse politike tradicionale thellësisht të rrënjosura: një preferencë për konsensusin ndaj shpejtësisë, për normat juridike ndaj fleksibilitetit strategjik, për kujdesin ekonomik ndaj rialokimit të nxituar, dhe e informuar nga kujtesa kolektive e tmerreve të dhunës dhe luftës. Edhe pse ngjarjet aktuale përfaqësojnë një shkëputje nga e kaluara, ato vazhdojnë të bashkëjetojnë me qëndrime dhe impulse të kultivuara historikisht.
Si do ta shndërrojë përfundimisht Berlini shpenzimin në mbrojtje dhe retorikën e Zeitenwende-s në një transformim strategjik të qëndrueshëm? A do të vazhdojë me riarmatimin jo vetëm në terma buxhetorë, por edhe në gatishmëri, qëndrim parandalues dhe kohezion të Aleancës? Pyetja nuk është më nëse Gjermania po ndryshon. Pyetja është se në ç’mënyrë Gjermania do ta vazhdojë ose përfundojë atë që ka nisur, dhe saktësisht se drejt cilit drejtim dhe deri ku do të shkojë.
*Ulrich Krotz është profesor kërkimor në Institutin e Barcelonës për Studime Ndërkombëtare (IBEI) dhe studiues i asociuar senior në Qendrën për Studime Ndërkombëtare (CERI), në Sciences-Po dhe CNRS, Paris.
*Ben Körte punon në këshillimin për rreziqe gjeopolitike në FTI Consulting, në Berlin, dhe është i diplomuar në Institutin e Barcelonës për Studime Ndërkombëtare (IBEI).
Burimi: Vanguardia Dossier/ Përgatiti P࡙r botim: L.Veizi
