Një delegacion ukrainas është nisur për në Shtetet e Bashkuara për bisedime mbi garancitë e sigurisë dhe paketën e rimëkëmbjes pas luftës, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy të premten, duke shprehur shpresën se dokumentet mund të nënshkruhen në krah të Forumit Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme.
“Nëse gjithçka finalizohet dhe ka pranimin e palës amerikane, nga ana jonë, në parim, besoj se kemi përfunduar. Atëherë do të jetë e mundur të nënshkruhet gjatë Davosit,” tha Zelenskiy.
Gjatë konferencës për shtyp në Kiev, Zelenskiy theksoi se SHBA-ja dëshiron të mbyllë luftën sa më shpejt, ndërsa Ukraina dëshiron ta bëjë këtë edhe më shpejt. “Ne të dy jemi të interesuar që të përfundojë sa më shpejt. Dhe e kuptojmë që vonesa në nënshkrim dhe përfundim të luftës është nga ana e Rusisë,” tha ai.
Ai gjithashtu foli për gjendjen e energjisë në vend: “Konsumimi ishte i lartë dje, rreth 18 gigavat. Por ne kishim kapacitetin rreth 11 gigavat. Kjo ishte situata dje, por diçka po rikuperohet çdo ditë.”
Duke folur për mbrojtjen, Zelenskiy shtoi: “Derisa sot mëngjes, disa sisteme mbrojtëse ishin pa raketa. Sot mund të flas hapur sepse tashmë i kemi këto raketa.”
Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, tha nga ana e tij: “Për këtë arsye Republika Çeke ka qenë proaktive në iniciativën e municionit, që furnizon mbi 50% të municionit me kalibër të madh për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Jam i lumtur që kjo iniciativë do të vazhdojë me qeverinë e re të Çekisë.”/MXH
