Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Evropa duhet të ketë një rol më të madh në negociatat për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Gjatë një konference të përbashkët me presidentin estonez Alar Karis, ai theksoi se vendet evropiane duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes për çdo marrëveshje paqeje.
Zelensky tha se hapi i parë drejt përfundimit të konfliktit duhet të jetë një armëpushim, por paralajmëroi se ai nuk mund të funksionojë pa garanci dhe mekanizma monitorimi. Sipas tij, në mungesë të kontrollit ndërkombëtar, Rusia mund të përfitojë nga situata për të avancuar më tej në terren.
Presidenti ukrainas akuzoi gjithashtu Rusinë se po përpiqet të rrisë tensionet brenda Bashkimit Evropian, duke iu referuar incidenteve me dronët pranë hapësirës ajrore të vendeve baltike. Ai tha se ndërhyrjet elektronike ruse kanë shkaktuar në disa raste devijimin e dronëve ukrainas.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mbeten të vështira. Presidenti ukrainas njoftoi se ka zhvilluar një bisedë pozitive me emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në javët e ardhshme për arritjen e një zgjidhjeje.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të qartë se Moska nuk është e gatshme të ndalojë luftimet derisa Ukraina të heqë dorë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në Donbas./mxh
