Një lajm i trishtë dhe krejt i papritur tronditi një ditë më parë Greqinë, por jo vetëm. Mediat greke raportuan me shpejtësi lajmin e rëndë për ndarjen nga jeta të George Mazonakis, një prej zërave më të dashur dhe më të njohur të muzikës greke.
Në moshën 54-vjeçare, artisti që për vite me radhë ka qëndruar në piedestalin e muzikës greke, u nda nga jeta papritur, zemra e tij e tradhtoi, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe mbi të gjitha te mijëra fansa që janë rritur me këngët e tij.
Askush nuk e priste që një ditë e zakonshme të kthehej në ditën e fundit të jetës së tij. Por ndërsa Greqia ende po përjeton tronditjen e humbjes së artistit, hetimet kanë marrë një tjetër drejtim. Vëmendja e autoriteteve është përqendruar te klinika private e qelizave staminale në Kolonaki, ku Mazonakis ndodhej pak para se të pësonte arrest kardiak.
Sipas raportimeve nga shteti fqinj, këngëtari kishte shkuar në klinikë pas një takimi të planifikuar, për t’iu nënshtruar një trajtimi me plazmaferezë, për anti-plakje. Procedura ishte planifikuar paraprakisht dhe ai kishte shkuar në klinikë pikërisht për këtë qëllim.
Gjatë përgatitjes për trajtimin, pasi iu vendos një kateter venoz, Mazonakis, sipas dëshmive të stafit të klinikës, ndjeu dhimbje të forta në gjoks. Pak më pas pësoi arrest kardiak.
Në klinikë nisën menjëherë përpjekjet për ta rikthyer në jetë. Reanimimi vijoi edhe pas mbërritjes së ekipeve të urgjencës dhe më pas nga mjekët e spitalit ku u transportua. Por, pavarësisht përpjekjeve, zemra e këngëtarit nuk mundi të rifillonte të rrihte sërish.
Dhe tani pyetja që rëndon mbi hetimin është një dhe e vetme: “çfarë ndodhi në ato minuta?”.
Autoritetet po shqyrtojnë jo vetëm rrethanat e arrestit kardiak, por edhe procedurën që Mazonakis kishte shkuar të kryente në klinikë. Në qendër të vëmendjes është mënyra se si u krye trajtimi, kushtet në të cilat u zhvillua dhe nëse gjithçka ishte në përputhje me rregullat dhe protokollet përkatëse.
Oficerë të policisë kanë shkuar në klinikë, ndërsa në hetim pritet të përfshihen edhe autoritetet mjekësore. Dy mjekët e lidhur me klinikën janë marrë në pyetje në kuadër të hetimit, ndërsa një prej tyre, sipas raportimeve ka deklaruar se nuk kishte përgjegjësi për incidentin dhe se menaxhimi i trajtimeve kryhej nga bashkëshortja e tij, gjithashtu mjeke.
Plazmafereza është një procedurë mjekësore e njohur, gjatë së cilës gjaku kalon nëpër një pajisje që ndan plazmën nga pjesët e tjera të gjakut. Në varësi të rastit, plazma hiqet dhe përbërësit e tjerë të gjakut i rikthehen pacientit bashkë me një lëng zëvendësues. Procedura përdoret në raste të caktuara mjekësore dhe kërkon pajisje të posaçme, monitorim të vazhdueshëm dhe personel të trajnuar.
Pikërisht mënyra se si është kryer kjo procedurë në rastin e George Mazonakis është një nga elementet që tashmë po shqyrtohet.
Ndërkohë, pas gjithë këtyre pyetjeve dhe hetimeve, mbetet dhimbja për një artist i cili iku nga kjo botë shumë shpejt, kur ende kishte dhjetëra projekte dhe hite për t’i dhuruar fansave të tij.
George Mazonakis u largua në moshën 54-vjeçare, në një kohë kur emri i tij vazhdonte të ishte i lidhur fort me skenën muzikore greke. Për dekada, ai kishte ndërtuar një marrëdhënie të veçantë me publikun./ad
