Aktorja turke Cemre Baysel, e njohur për rolin e Zeynep në serialin “Mëkate dhe trëndafila”, transmetuar në Tv Klan, është në qendër të thashethemeve për një romancë të mundshme me futbollistin e Beşiktaşit, Emirhan Topçu.
Sipas mediave turke, aludimet për një lidhje mes tyre nisën të qarkullonin në rrjetin social X më 14 tetor, duke tërhequr vëmendjen e fansave dhe mediave rozë.
Një nga detajet që nxiti më shumë diskutime ishte fakti se nëna e futbollistit thuhet se kishte filluar ta ndiqte aktoren në rrjetet sociale. Megjithatë, kjo lëvizje nuk zgjati shumë, pasi më vonë ajo nuk u shfaq më në listën e ndjekësve të saj. Arsyeja e këtij veprimi mbetet e paqartë.
Vëmendje mori edhe një buqetë me lule që Cemre publikoi në rrjetet sociale, pa zbuluar se kush ia kishte dërguar. Ky detaj nxiti më tej kureshtjen e ndjekësve, por nuk ka prova që lulet të kenë lidhje me futbollistin.
Për aktoren, këto thashetheme vijnë pas përfundimit të marrëdhënies me pilotin e garave automobilistike Cem Bölükbaşı. Kur u pyet më parë për ndarjen, Baysel u përgjigj shkurt: “Mbaroi”, pa dhënë detaje të tjera për jetën e saj private.
Ndërkohë, Emirhan Topçu, i cili luan si mbrojtës për Beşiktaşin, është përfolur më herët edhe për një afërsi me aktoren Derya Pınar Ak.
Deri më tani, as Cemre Baysel dhe as Emirhan Topçu nuk kanë reaguar publikisht për thashethemet. Për rrjedhojë, lajmi për një romancë mes tyre mbetet i pakonfirmuar./mxh
