Last Updated on 12/09/2026 by EL
Suedianët votojnë të dielën në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa gara mes bllokut të majtë dhe atij të djathtë pritet të jetë shumë e ngushtë. Kryeministri konservator Ulf Kristersson synon të qëndrojë në pushtet dhe ka sinjalizuar se aleatët e tij të së djathtës ekstreme mund të marrin poste ministrore nëse koalicioni i tij fiton.
Sondazhet e fundit favorizojnë lehtë bllokun e majtë, i cili mbështet rikthimin në pushtet të socialdemokrates Magdalena Andersson. Një sondazh i publikuar të premten e nxjerr të majtën me 50.8% të mbështetjes, kundrejt 47.6% për të djathtën. Socialdemokratët janë partia më e mbështetur në këtë garë, me rreth 28.6% të votave. Në krahun e djathtë, Suedia Demokratët (SD) renditen të dytët me 18.3%.
Çështjet kryesore të zgjedhjeve janë siguria kombëtare, lufta kundër bandave kriminale, emigracioni dhe shpenzimet sociale. Megjithatë, një nga temat më të diskutuara është mundësia që Suedia Demokratët të hyjnë për herë të parë në qeveri.Partia, e cila ka rrënjë në lëvizjet neonaziste të viteve 1980, për shumë vite është mbajtur larg partive kryesore. Situata ndryshoi ndjeshëm në zgjedhjet e vitit 2022, kur SD u bë partia e dytë më e madhe në vend, duke u fokusuar kryesisht te emigracioni dhe krimi i dhunshëm.
Që prej atëherë, SD ka mbështetur nga jashtë qeverinë e qendrës së djathtë të Kristerssonit. Gjatë kësaj periudhe, Suedia ka forcuar ndjeshëm politikat e emigracionit, duke përfshirë kufizimin e lejeve të përhershme të qëndrimit për refugjatët dhe rritjen e dëbimeve. Megjithatë, deputetët e SD-së nuk kanë mbajtur deri tani poste ministrore.
Kristersson ka deklaruar se mund t’u ofrojë poste qeveritare përfaqësuesve të SD-së nëse fiton zgjedhjet. Kjo mund të ndikojë te një pjesë e votuesve të qendrës së djathtë, të cilët mund të kalojnë te opozita për shkak të kundërshtimit ndaj përfshirjes së SD-së në qeveri.
Politologu Nicholas Aylott nga Universiteti Södertörn tha se hyrja e SD-së në qeveri do të ishte një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të kësaj force politike. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është domosdoshmërisht çështja kryesore për shumicën e votuesve, por mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar.
SD është përfshirë edhe në disa polemika gjatë fushatës. Një zyrtar i partisë është akuzuar se ka shpërndarë në rrjetet sociale mesazhe në favor të Rusisë. Kristersson ka thënë se zyrtari duhet të largohet nëse akuzat konfirmohen, ndërsa lideri i SD-së, Jimmie Åkesson, ka deklaruar se partia po i heton pretendimet.
Më shumë se 8 milionë suedezë kanë të drejtë vote në zgjedhjet për parlamentin, Riksdag. Sistemi politik suedez ka dy blloqe kryesore, me nga katër parti në secilin krah, ndaj qeveritë e koalicionit dhe ato të pakicës janë të zakonshme.
Zgjedhjet në Suedi zhvillohen vetëm një javë pas një rezultati të fortë të së djathtës ekstreme në Gjermani. Alternativa për Gjermaninë (AfD) mori rreth 44% të votave në landin lindor të Saksonisë-Anhalt dhe tani po përpiqet të sigurojë mbështetje për të marrë kontrollin e parlamentit lokal./et
