Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë natës supermarketin “SPAR” në zonën e Kryebushatit, në Bashkinë Vau-Dejës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët kanë shpërthyer rreth orës 01:00 pas mesnate dhe janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientin e supermarketit. Për shkak të intensitetit të zjarrit, në vendngjarje kanë ndërhyrë disa mjete zjarrfikëse nga Shkodra, Vau-Dejës dhe Lezha, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e flakëve në objektet përreth.
Si pasojë e zjarrit, supermarketi është shkrumbuar pothuajse plotësisht, ndërsa dëmet materiale raportohen të jenë të mëdha. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, pasi në momentin e rënies së zjarrit objekti ka qenë i mbyllur.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet që ekspertët të kryejnë verifikimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes./K.M
