Një zjarr i rëndë shpërtheu rreth orës 12:00 të datës 9 korrik në një fabrikë këpucësh në qytetin Jinjiang, në prefekturën Quanzhou të provincës Fujian në Kinë, duke shkaktuar një numër të madh viktimash, raportoi televizioni shtetëror kinez CCTV.
Pas incidentit, presidenti i Kinës, Xi Jinping, kërkoi që të ndërmerren të gjitha përpjekjet për operacionet e kërkim-shpëtimit, ofrimin e ndihmës për të lënduarit dhe familjet e viktimave, si edhe zbardhjen sa më të shpejtë të shkaqeve të zjarrit. Ai theksoi se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.
Xi Jinping nënvizoi se gjatë këtij viti në Kinë kanë ndodhur disa aksidente të rënda në vendin e punës, duke u bërë thirrje autoriteteve lokale dhe institucioneve përgjegjëse të nxjerrin mësime nga këto ngjarje. Ai kërkoi forcimin e kontrolleve të sigurisë, eliminimin e rreziqeve dhe zbatimin me rigorozitet të masave parandaluese, me synim shmangien e aksidenteve të tjera të rënda dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Edhe kryeministri Li Qiang urdhëroi mobilizimin maksimal të ekipeve të shpëtimit, trajtimin e duhur të pasojave të ngjarjes dhe marrjen e masave për të parandaluar incidente të tjera. Ai kërkoi gjithashtu që hetimet për shkaqet e zjarrit të përfundojnë sa më shpejt dhe përgjegjësit të ndiqen sipas ligjit.
Në zbatim të udhëzimeve të drejtuesve më të lartë të vendit, Ministria e Menaxhimit të Emergjencave dërgoi një grup pune në vendngjarje për të koordinuar operacionet. Ndërkohë, autoritetet e provincës Fujian kanë angazhuar ekipet mjekësore për trajtimin e të lënduarve dhe po vijojnë ndërhyrjet në terren.
Operacionet e shpëtimit dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë./mxh
