Shtetet e Bashkuara do ta heqin Sirinë nga lista e vendeve të përcaktuara si sponsorizuese të terrorizmit, njoftoi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Ngritja e sanksioneve ndaj Sirisë do të hapë rrugën për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare, do t’i japë vendit një mundësi për t’u rindërtuar dhe do të çelë një kapitull të ri për popullin sirian”, deklaroi Rubio. Ai shtoi se “një Siri e qëndrueshme, e bashkuar dhe në paqe me veten dhe fqinjët e saj është në interes jo vetëm të rajonit, por të gjithë botës”.
Sipas Rubios, administrata amerikane njoftoi të mërkurën Kongresin për synimin e saj për ta hequr këtë përcaktim, pas përfundimit të periudhës 45-ditore të njoftimit paraprak.
Heqja e Sirisë nga kjo listë ishte mbështetur nga ligjvënës të të dyja partive në Kongres, të cilët argumentuan se arsyet për këtë përcaktim nuk ekzistojnë më pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024.
Presidenti Donald Trump e kishte paralajmëruar më herët gjatë së mërkurës këtë vendim, gjatë një takimi me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në kuadër të samitit të NATO-s në Ankara./mxh
