Rreth 300 hektarë pyje, ose afro 740 akra, janë përfshirë nga flakët në Gjermaninë perëndimore, pranë kufirit me Belgjikën.
Për të ndihmuar zjarrfikësit në terrenin e vështirë, ushtria gjermane ka angazhuar dy tanke, të cilat po hapin dhe pastrojnë rrugët e aksesit në zonat e prekura. Sipas Bundeswehr-it, trupat ushtarake po mbështesin operacionin në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë që prej mbrëmjes së së enjtes.
Ndërkohë, dy helikopterë nga Saksonia e Ulët kanë mbërritur në zonën e zjarrit mesditën e së premtes. Ushtria gjermane njoftoi se, duke nisur nga orët e para të pasdites, helikopterët do të ndihmojnë shërbimet civile të emergjencës duke hedhur ujë nga ajri.
Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira, pasi në pjesë të pyllit ka municione të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore. Terreni kodrinor dhe prania e municioneve e bëjnë të pamundur pastrimin e plotë të zonës. Herë pas here janë dëgjuar edhe shpërthime të municioneve të vjetra gjatë përhapjes së zjarrit.
Situata ka detyruar autoritetet të evakuojnë më shumë se 2 mijë persona, pasi flakët u përhapën në drejtim të një fshati pranë kufirit belg.
Banorëve të fshatit Gey iu kërkua të largoheshin nga banesat rreth orës 4 të mëngjesit. Për ta është ngritur një qendër asistence në një shkollë fillore në një fshat aty pranë.
Autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa ekipet tokësore dhe ajrore po punojnë në një terren të vështirë dhe të rrezikshëm./mxh
