Të gjithë prindërit duan që fëmijët e tyre të ecin mirë në shkollë, por suksesi nuk lidhet vetëm me mësimet. Disa aftësi bazë që fëmijët duhet t’i mësojnë në shtëpi ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ata përballen me shkollën dhe sa të pavarur bëhen.
Mësuesit veçojnë pesë gjëra që prindërit shpesh i neglizhojnë.
1. Nuk vendosin kufij për teknologjinë dhe kohën para ekranit
Lojërat, rrjetet sociale dhe programet televizive mund të ndikojnë në aftësinë e fëmijëve për t’u përqendruar, sidomos në një moshë kur në shkollë u kërkohet gjithnjë e më shumë pavarësi.
Përdorimi i tepërt i ekraneve mund të ndikojë te gjumi. Drita e ekraneve ndikon në ritmin biologjik të trupit dhe në prodhimin e melatoninës, hormonit që ndihmon në rregullimin e ciklit gjumë-zgjim.
Për fëmijët, të cilët janë ende në zhvillim, pasojat e mungesës së gjumit dhe të përdorimit të tepruar të teknologjisë mund të jenë veçanërisht problematike.
2. Nuk i mësojnë fëmijët të dinë si do të kthehen në shtëpi
Fëmija duhet të dijë nëse atë ditë do ta marrë prindi, një familjar tjetër apo autobusi. Gjithashtu, duhet të jetë në gjendje të njohë makinën që do ta marrë.
Kjo nuk është vetëm çështje sigurie, por një mënyrë për t’i mësuar fëmijës përgjegjësinë dhe pavarësinë. Prindërit mund ta bëjnë pjesë të rutinës së mëngjesit duke i rikujtuar fëmijës planin e kthimit përpara se të nisë ditën.
3. Nuk u mësojnë rrugën për në shtëpi
Telefonat dhe sistemet e orientimit kanë bërë që shumë fëmijë të mos e dinë më rrugën për në shtëpi. Këshillohet që fëmijët të njohin rrugën, kryqëzimet dhe pikat kryesore të zonës ku jetojnë.
Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse telefoni fiket ose fëmija humbet. Një fëmijë që nuk di të kthehet në shtëpi pa ndihmën e telefonit mund të gjendet lehtësisht në një situatë të pasigurt.
4. Nuk u mësojnë emrat e prindërve dhe emrin e tyre
Mund të duket e pabesueshme, por mësuesit thotë se kanë takuar shumë fëmijë që nuk dinë emrin e plotë të prindërve të tyre.
Kjo mund të bëhet problem serioz në rast se fëmija ndahet nga grupi gjatë një ekskursioni ose gjendet në një situatë emergjente.
Po aq e rëndësishme është që fëmija të dijë emrin e vetë. Nofkat dhe përkëdhelitë që përdoren në shtëpi nuk duhet të zëvendësojnë emrin e vërtetë kur fëmija fillon shkollën.
5. Nuk u mësojnë aftësitë bazë të pavarësisë
Një shembull i thjeshtë është lidhja e këpucëve. Një mësues thotë se edhe në klasën e pestë ka fëmijë që ende nuk dinë t’i lidhin vetë.
Prindërit shpesh përpiqen t’ua lehtësojnë jetën fëmijëve, por kur e bëjnë këtë vazhdimisht, mund t’u heqin mundësinë për të zhvilluar pavarësinë dhe aftësinë për t’u kujdesur vetë për gjërat e përditshme./mxh
