Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se dy zjarrfikës të angazhuar në fikjen e zjarrit në kompleksin “Arlis”, në rrugën e Dibrës pranë “Farmacisë 10”, janë paraqitur në urgjencë për ndihmë mjekësore, por ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Në një prononcim për mediat, Hita bëri të ditur se gjithashtu janë evakuuar dy banorë nga shërbimet zjarrfikëse dhe policia, të cilët nuk kanë probleme të rënda shëndetësore, përveç asfiksisë. Ndërsa dy punonjësit e zjarrfikëses kanë pësuar djegie të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Ai theksoi se që në momentin e marrjes së njoftimit për zjarrin, janë angazhuar të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit për menaxhimin e situatës. Në operacion kanë marrë pjesë edhe repartet e FNSH-së dhe forcat speciale RENEA, të cilat kanë ndihmuar në hapjen e dyerve të apartamenteve.
Sipas Hitës, ende nuk janë kontrolluar të gjitha banesat, pasi puna vijon deri në vënien e plotë nën kontroll të flakëve, ndërsa deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për humbje jete. Lidhur me shkaqet e zjarrit, ai tha se policia ka indicie dhe po vijon mbledhjen e provave, ndërsa do të kryhen të gjitha veprimet hetimore.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, bëri të ditur se flakët janë neutralizuar, por puna vijon për lokalizimin e plotë të zjarrit në të gjitha drejtimet. Ai theksoi se është ende herët për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa forcat janë angazhuar maksimalisht për të parandaluar përhapjen e flakëve në kullat përreth.
Cara shtoi se në operacion janë përfshirë mbi 50 zjarrfikës nga Bashkia e Tiranës, si dhe nga Vora e Kamza, ndërsa në terren ndodhen edhe forcat zjarrfikëse të ushtrisë.
Sipas tij, njoftimi për zjarrin është marrë në orën 16:52 nga salla operative e policisë, dhe menjëherë është bërë koordinimi me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe Ministrisë së Brendshme për angazhimin e strukturave përkatëse.
Ai theksoi se ende nuk mund të jepen të dhëna për numrin e apartamenteve të dëmtuara, por bëri të ditur se zjarri ka përfshirë të gjithë seksionin verilindor të kompleksit, nga kati i parë deri në katin e fundit./mxh
