Last Updated on 08/08/2026 by Anisa
Zjarri që ka përfshirë zonën e Abazës në Krujë vijon të mbajë në gatishmëri të lartë strukturat e emergjencave, ndërsa për shuarjen e flakëve po ndërhyhet nga toka dhe ajri.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë me dije se ndodhet në terren bashkë me kolegun Besfort Lamallari, drejtuesin e AKMC-së dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve, duke ndjekur nga afër situatën.
Sipas Nufit, zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut, ndërsa prej pasdites operacioni është përforcuar me mbështetje ajrore.
“Që prej pasdites, po punohet intensivisht me mbështetje nga ajri me 3 helikopterë të Forcës Ajrore, bashkë me forcat operacionale të strukturave vendore”, deklaroi ministri.
Në terren janë angazhuar efektivë të MZSH-së nga Kruja, Kamza, Tirana dhe Vora, të cilët po punojnë për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara.
Ministri ka shprehur mirënjohje për pilotët e Forcës Ajrore dhe efektivët zjarrfikës për punën e tyre pa ndërprerje.
“Për shkak të terrenit të thepisur dhe vështirësisë së ndërhyrjes nga toka, operacioni po zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, me synim vënien sa më shpejt nën kontroll të zjarrit”, u shpreh Nufi./ad
