Last Updated on 06/05/2026 by Anisa
Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Trialog”, ka komentuar ndryshimet e fundit dhe unifikimin e praktikës nga Gjykata e Lartë për masën e sigurisë “arrest në burg” duke u shprehur se reagimi i Gjykatës së Strasburgut ka qenë një sinjal alarmi i fortë për sistemin e drejtësisë.
Sipas tij, kjo situatë ka ardhur si pasojë e një problematike të akumuluar ndër vite.
“Kjo ndodhi sepse është mbushur kupa. Ishin vendimet e Gjykatës së Strasburgut që e diskreditojnë vendimmarrjen në lidhje me paraburgimin. Ishte një reagim i pa ngjarë në historinë tonë gjatë këtyre 30 viteve, ku u ngrit një alarm i madh,” u shpreh Zogaj.
Ai theksoi se një nga shqetësimet kryesore është fakti që në Shqipëri numri i personave në paraburgim është më i lartë se ai i të dënuarve, një situatë që sipas tij shkakton habi dhe shqetësim.
“Ka më shumë persona në paraburgim sesa të dënuar, një shifër që godet dhe shkakton habi kudo,” tha ai.
Zogaj shtoi se institucionet ndërkombëtare nuk janë mjaftuar vetëm me ngritjen e alarmit, por kanë paraqitur edhe rekomandime konkrete për përmirësimin e situatës.
“Ata jo vetëm që ngritën alarmin, por paraqitën edhe një paketë me rekomandime. Ne u kemi bërë jehonë atyre rekomandimeve dhe kemi kërkuar që të zbatohen. Nëse Shqipërisë nuk i duken të mjaftueshme, le të kërkojë ekspertizë edhe diku tjetër. Duhet ndërhyrë jo vetëm me vendime unifikuese, por edhe duke ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, madje edhe duke dekriminalizuar disa vepra penale që janë të qarta për masën,” tha ai.
