Last Updated on 05/11/2025 by EL
Mentor Kikia
Nju Jorku dha një mësim. Votoi për kryetar bashkie një “emigrant”, vetëm 34 vjeç, që kishte ardhur 6 vjec nga Uganda. Shumë thjeshtë. Mes një të majte super të korruptuar të demokratëve që përfaqësoi deri në fund Xho Bajdeni, dhe një të djathte që qeveris si një korporatë, në drejtimin e Donald Trampit, ata zgjodhën një socialist të vetëdeklaruar, që kishte në fokus uljen e kostos së jetesës për njerëzit e thjeshtë.
Qytetarët zgjodhen të votojnë një njeri që nuk u foli për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, as për provat bërthamore, apo luftën tregtare me Kinën(siç ndodh me ne). Ata votuan një njeri që u tha se do të ul kostot e tranportit publik, kostot e shkollimit, që foli për çmimin e qerave dhe apartamenteve që rriten çdo muaj, çmimin e ushimeve dhe veshjeve etj etj.
Zohran Mamdanin po e cilësojnë një komunist. Amerika ka patur alergji nga komunizmi me kohë dhe ajo ka bërë luftra anembanë botës për ta mbajtur komunizmin larg brigjeve të saj.
Por Zohran nuk është një komunist. Komunizmi ka për shina të së keqes, zhdukjen e pronës private dhe pluralizmit politik. Gjë që as mund të mendohet sot. Vota pro tij është një votë revolte ndaj korrupsionit dhe liberalizmit shkatërrues te demokratëve dhe qeverisjes se korporatave të republikanëve.
A do tia dalë ai, që qasjen e tij ta shndërrojë një një lëvizje për të rithmeleuar një Parti Demokratike më pranë popullit amerikan, apo do të jetë thjeshtë një flakë kashte, kjo duhet të pritet për tu parë.
Por amerikanet në kryeqytetin e botës dëshmuan se dinë të përmbysin forca dhe politika të kalcifikuara.
