Polonia planifikon të krijojë një zonë të kufizuar fluturimi në pjesën lindore të vendit, pranë kufirit me Ukrainën, me synimin për të forcuar sigurinë ajrore dhe mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, deklaroi se masa pritet të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit 2027.
Sipas tij, zona do të shtrihet në një distancë prej disa dhjetëra kilometra nga kufiri.
Nisma vjen pas incidenteve të fundit me raketa dhe mjete ajrore pa pilot ruse, që kanë shkelur hapësirën ajrore polake.
Më 20 nëntor, në territorin e Polonisë ranë mbetje të tre raketave kruz ruse, të tipit Kh-101, ndërsa një dron hyri në hapësirën ajrore të vendit gjatë natës së 23-24 nëntorit.
Tomczyk bëri të ditur gjithashtu, se Polonia ka ndryshuar procedurat për identifikimin e kërcënimeve ajrore.
Pilotët nuk mbështeten më vetëm te identifikimi vizual i mjeteve të huaja, por vlerësojnë një sërë treguesish, përfshirë të dhënat e radarëve, lartësinë, shpejtësinë dhe drejtimin e fluturimit, për të përcaktuar nëse një objekt përbën kërcënim dhe nëse duhet ndërhyrë.
Sipas zëvendësministrit, krijimi i zonës së kufizuar, do të ndihmojë ushtrinë në këtë proces dhe do të lehtësojë reagimin ndaj kërcënimeve të mundshme.
Ai shtoi se Varshava do t’u kërkojë edhe vendeve të tjera të NATO-s, të shqyrtojnë masa të ngjashme përgjatë krahut lindor të aleancës./mxh
