Last Updated on 07/06/2026 by Monika
Nga Etleva Skonja
Në ditën e tetë të protestës së nisur për mbrojtjen e Zvërnecit, vëmendja publike duket se po largohet gjithnjë e më shumë nga kërkesat dhe shqetësimet që sollën qytetarët në shesh.
Në vend të debatit mbi çështjet që lidhen me projektet e zhvillimit, mbrojtjen e mjedisit dhe pasojat e tyre, rrjetet sociale po dominohen nga meme, foto dhe episode që po kthehen në subjekt diskutimi më shumë sesa vetë kauza.
Pesë kërkesat kryesore të protestuesve, të bëra publike në ditën e pestë të tubimit, ishin, dorëheqja e qeverisë, shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor të investitorëve strategjikë, shfuqizimi i Paketës së Maleve, anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura dhe anulimi i ndryshimeve ligjore për trashëgiminë kombëtare.
Megjithatë, këto kërkesa po zënë gjithnjë e më pak vend në diskutimin publik, ndërsa vëmendja është zhvendosur tek pamjet dhe momentet virale nga protesta.
Një nga imazhet që ka bërë xhiron e rrjetit është fotografia ku shihet një qen i mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar kuqezi, ndërsa edhe pronarja e tij mban të njëjtin flamur mbi supe.
Fotoja është shpërndarë masivisht dhe ka nxitur reagime të shumta, duke hapur debat mbi mënyrën se si po përdoren simbolet kombëtare gjatë protestave.
Flamuri kombëtar nuk është një aksesor apo dekor që mund të përdoret pa kriter. Ai përfaqëson identitetin, historinë, sakrificat dhe dinjitetin e kombit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i tij mbi kafshë është i papërshtatshëm dhe fyes për simbolin më të rëndësishëm kombëtar.
Kauzat qytetare nuk mund të justifikojnë përdorime që cenojnë respektin ndaj flamurit. Dhe për më tepër episode të tilla po e largojnë protestën nga qëllimi i saj fillestar dhe po e shndërrojnë atë në një spektakël mediatik.
Ndërsa organizatorët synojnë të mbajnë në fokus pesë kërkesat e shpallura publikisht, dita e tetë e protestës duket se po karakterizohet më shumë nga parullat provokuese, memet dhe fotografitë virale sesa nga debati mbi çështjet që kanë nxitur mobilizimin qytetar.
Mesazhi i protestës po humbet mes zhurmës së rrjeteve sociale, duke lënë në hije kërkesat konkrete të protestuesve.
Fotoja e qenit të mbështjellë me flamurin kuqezi mbetet simboli më i diskutuar i kësaj dite proteste, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi kufijtë e përdorimit të simboleve kombëtare dhe respektin që duhet t’u kushtohet atyre, pavarësisht kauzës që përfaqësohet.
Në një moment kur protestuesit kërkojnë mbështetje publike për pesë kërkesat e tyre, vëmendja e opinionit po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek forma dhe jo tek përmbajtja e protestës.
