Last Updated on 12/11/2026 by Monika
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në një reagim publik, BE-ja në Kosovë shprehet e shqetësuar për votimin e mundshëm që pritet të mbahet nesër në Kuvendin e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji.
“BE-ja në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me votimin e mundshëm që pritet të mbahet nesër në Kuvendin e Kosovës për Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagim.
Më tej, në reagim theksohet se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit. Këto shqetësime lidhen veçanërisht me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe garantimin e llogaridhënies efektive.
“Gjithashtu, këto ndryshime ngrenë shqetësime sa i përket kushtetutshmërisë së tyre. Që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ne kemi qenë të angazhuar në mënyrë aktive në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive tona tek autoritetet e Kosovës. Këtu përfshihet edhe nevoja për zhvillimin e konsultimeve paraprake përpara miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet në vijim të reagimit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë nënvizon kështu rëndësinë e respektimit të detyrimeve ndërkombëtare dhe të parimeve të sundimit të ligjit në çdo ndryshim që lidhet me Ligjin për Dhomat e Specializuara./mxh
