Last Updated on 23/09/2026 by Monika
Christian Eriksen nuk do të vazhdojë më karrierën te Wolfsburgu. Klubi gjerman dhe futbollisti danez kanë rënë dakord për ndërprerjen para kohe të kontratës, e cila ishte e vlefshme deri në vitin 2027.
Vendimi vjen pas një periudhe në të cilën Eriksen nuk ka mundur të rikthehet në fushë me skuadrën. Në qershor, gjatë një ndeshjeje mes Danimarkës dhe Ukrainës, futbollisti pësoi një tjetër problem kardiak dhe u rrëzua në fushë. Eriksen arriti të largohej nga loja me këmbët e tij, por pas incidentit iu desh të ndiqte një tjetër program rehabilitimi.
Danezi jeton me një defibrilator prej gjashtë vitesh, pas problemit kardiak që pësoi gjatë Europianit të vitit 2021. Pas episodit të fundit, ai ka vazhduar trajtimin dhe programin e rikuperimit në Danimarkë. Rikthimi i tij në fushë me Wolfsburg nuk u realizua dhe tani futbollisti do të vazhdojë të ndjekë programin e rehabilitimit jashtë klubit.
Eriksen nuk ka njoftuar tërheqjen nga futbolli. Ndërprerja e kontratës me Wolfsburg lidhet me situatën aktuale dhe me pamundësinë për t’u rikthyer në aktivitet me skuadrën gjermane. E ardhmja e tij mbetet e hapur, ndërsa prioriteti është vazhdimi i rehabilitimit.
Eriksen iu bashkua Wolfsburg-ut një vit më parë si lojtar i lirë. Gjatë periudhës së tij me klubin gjerman, ai zhvilloi 34 ndeshje në tre kompeticione: Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe “play-off”-in e mbijetesës.
Në këto 34 takime, Eriksen shënoi 3 gola dhe regjistroi 10 asistime. Kontributi i tij me Wolfsburg u ndërpre pas vetëm një sezoni, ndërsa kontrata që ishte planifikuar të vazhdonte deri në vitin 2027 është mbyllur tashmë me marrëveshje mes dy palëve.
Në mesazhin e lamtumirës drejtuar tifozëve të Wolfsburg, Eriksen theksoi se në këtë moment është e rëndësishme të jetë pranë familjes në Danimarkë./mxh
