Federata Turke e Futbollit ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit italian VincenzoMontella nga drejtimi i kombëtares. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të federatës, pas rezultateve negative të regjistruara nga kombëtarja turke gjatë muajve të fundit.
Montella e mbyll aventurën e tij te Turqia pas eliminimit në fazën e grupeve në Kampionatin Botëror dhe katër humbjeve radhazi në Ligën e Kombeve kundër Francës, Italisë dhe Belgjikës.
Përpara kësaj ecurie negative, tekniku italian kishte arritur rezultate pozitive me kombëtaren turke. Nën drejtimin e tij, Turqia arriti deri në çerekfinale në Kampionatin Evropian 2024, si dhe siguroi kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026 për herë të parë pas 24 vitesh mungesë.
Megjithatë, bilanci prej 11 golave të pësuar dhe vetëm 2 të shënuar në Ligën e Kombeve çoi në ndërprerjen e bashkëpunimit.
Kandidati kryesor për të marrë drejtimin e stolit është ish-kapiteni i kombëtares, Arda Turan. 39-vjeçari, i cili ka zhvilluar një karrierë si futbollist te Galatasarai, Atletiki Madrid dhe Barcelona, e nisi punën si trajner në vitin 2023 te Eyupspor. Në vitin 2025, Turan mori drejtimin e Shakhtar Donetsk, me të cilin u shpall kampion në Ukrainë.
Nëse emërohet, ai pritet të mbajë njëkohësisht detyrën si te klubi ukrainas ashtu edhe te kombëtarja.
Përveç largimit të Montelas, njoftimi zyrtar i Federatës Turke përfshinte edhe zëvendësimin e dy anëtarëve të bordit dhe emërimin e Ahmet Erzurumlu në postin e Sekretarit të Përgjithshëm./mxh
