41.7% e popullsisë ka një automjet, gati 1 në 2 shqiptarë. Një analizë e INSTAT nuk specifikon ndërkohë ata qytetarë që mund të kenë më shumë se një makinë, apo të tjerë që nuk e zotërojnë një të tillë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i automjeteve arriti rekord gjatë vitit 2025, me mbi 1 milionë mjete të regjistruara. “Mirë do ishte në fakt t’i shmangim mjetet, sepse ndotje shkaktojnë. Unë e kam një makinë” shprehet një zotëri. “Unë kam një automjete” thotë një tjetër.
“Ne kemi makinë personale” shprehet një zonjë. “Unë kam dy makina në shtëpi” pohon një zotëri. Në vitin 2025, në Shqipëri kishte 361 automjete për çdo 1.000 banorë, nga 326 që ishte një vit më parë. Qytetarët thonë se arsyet kryesore të shtimit të automjeteve personale, i shohin tek problematikat e transportit publik urban
“Në qoftë se transporti publik do të ishte më korrekt, ndoshta edhe njërezit nuk do të e shihnin si të nevojshme të merrnin makinat e tyre personale për të shkuar diku. Unë mendoj që një transport publik i shumëllojshëm, i shpeshtë mbi të gjitha do ta lehtësonte situatën” u shpreh një zonjë.
Të tjerë, automjetin nuk e marrin për të lëvizur në qytetet ku banojnë, por kryesisht për udhëtime të gjata. “Vetëm kur lëviz në rrugë të gjata marr makinë. Tani unë po lëviz në këmbë. Po shkoj deri të bashkia në këmbë, nga rruga Bardhyl.” tha një zotëri
“E përdorim vetëm për udhëtime të gjata. Brenda për brenda Tiranës mundohemi ta shmangim” tha një zonjë. Megjithatë, parku automobilistik në vend mbetet i vjetër. Mbi gjysma e automjeteve, 55.3%, janë prodhuar gjatë viteve 2000-2010, mbi dy dekada të vjetra, ndërsa pjesa tjetër, 45.7%, kanë vit prodhimi mes 2006-2015, pra 11 deri në 20 vjeç.
“Unë e kam një automjet të 2004-së.”, thotë një qytetar. Kjo tregon se, megjithëse niveli i motorizimit po rritet, shqiptarët vazhdojnë të mbështeten kryesisht te automjetet e vjetra në moshë, të cilat përkundrejt çmimit më të arsyeshëm, reflektojnë një ndikim më të madh në ndotjen e mjedisit, sigurinë rrugore si dhe kostot e mirëmbajtjes.
Sipas INSTAT, automjetet me naftë vijojnë të dominojnë në treg, duke zënë 72.1% të totalit. Paralelisht interesi për makinat elektrike po rritet ndjeshëm. Gjatë vitit 2025, numri i tyre u shtua me 91.2% krahasuar me 2024-ën/mxh
