Ushqimet kryesore të shportës, pjesë themelore e konsumit të përditshëm janë rritur më shumë se inflacioni përgjatë muajit gusht 2026 referuar listës së INSTAT me 45 artikuj të shportës.
Sipas krahasimit të listave të çmimeve mesatare të INSTAT për gushtin 2025 dhe gushtin 2026, rritjen më të lartë ndër ushqimet e kanë shënuar kastravecët, me 23.5%, teksa inflacioni ishte 3.2% në gusht 2026.
Nga të dhënat krahasuese shihet se së paku 14 produktet kryesore të shportës, nga mishi, bulmeti, perimet dhe kafja janë rritur më shumë se niveli i përgjithshëm i çmimeve.
Produkti i dytë me rritjen me te lartë renditet kafeja e bluar, me 13%, duke arritur në 169.8 lekë për 100 gramë krahasuar me një vit më parë. Pas saj vjen peshku i freskët, me 10.3%, çmimi mesatar i të cilit arriti në 949.2 lekë për kilogram.
Rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe vezët, me 8.3%, vaji i ullirit, me 7.2%, dhe ullinjtë, me 7.1%. Të gjitha këto produkte janë shtrenjtuar më shumë se dyfishi i normës mesatare të inflacionit.
Më tej renditen mishi i viçit, me 6.1%, çmimi i të cilit ka arritur në 1,236.6 lekë për kilogram, kosi natyral, me 5.7%, mjalti, me 4.6%, dhe domatet, me 4.2%.
Edhe mishi i derrit, me një rritje prej 3.7%, dhe patatet, me 3.4%, janë shtrenjtuar më shpejt se inflacioni mesatar prej 3.2%.
Nafta më rritje më të lartë, 24% nga gushti 2025
Çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje të fortë në gusht 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke shtuar kostot e transportit për familjet dhe bizneset. Sipas të dhënave të INSTAT, nafta ka regjistruar rritjen më të lartë, me 24.4%, duke arritur në 215.3 lekë për litër, nga 173.1 lekë në gusht 2025. Kjo përfaqëson një shtrenjtim prej 42.2 lekësh për litër brenda një viti.
Gazi për përdorim si lëndë djegëse shënoi rritje prej 16.5%, nga 57.6 në 67.1 lekë për litër. Ndërkohë, benzina është shtrenjtuar me 15.9%, duke arritur në 200.6 lekë për litër, nga 173.1 lekë një vit më parë.
Rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e familjeve për transport dhe në kostot e aktivitetit të bizneseve. Për shkak të rolit të transportit në zinxhirin e furnizimit, shtrenjtimi i naftës dhe benzinës mund të transmetohet edhe në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera.
Rënia më e madhe e çmimeve për konservat dhe sheqerin
Ndërsa një pjesë e produkteve ushqimore janë shtrenjtuar, disa artikuj të konsumit të përditshëm kanë regjistruar ulje të çmimeve në gusht 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, rënien më të madhe e kanë shënuar konservat e peshkut, me 16.5% të ndjekura nga sheqeri, me një ulje prej 11.3%, nga 101.6 në 90.1 lekë për kilogram, portokallet, me 10.7%,.
Ndër produktet e tjera ushqimore që kanë pësuar rënie të çmimeve janë gjalpi, me 4.8%, mollët, me 4.3%, orizi, me 3.7%, dhe makaronat, me 3.1%.
Ulje më të lehta kanë regjistruar edhe djathi i bardhë, me 2.3%, mielli, me 1.2%, qumështi i freskët, me 0.8%, vaji i lulediellit, me 0.7%, si dhe buka, çmimi i së cilës ka mbetur pothuajse i pandryshuar, me një rënie prej 0.1%.
Jashtë grupit të ushqimeve, ulje të çmimeve kanë shënuar edhe birra, me 9.5%, pijet joalkoolike me gaz, me 3.5%, dhe lëngjet e frutave, me 0.6%./monitor-ad
