Më 16 tetor 1923, në Kaliforni, u themelua kompania që do të ndryshonte përgjithmonë botën e animacionit: Walt Disney Company. Ajo u krijua nga dy vëllezër – Walt Disney, vizionar dhe artist, dhe Roy O. Disney, menaxher financiar i shkëlqyer. Fillimisht e quajtur Disney Brothers Studio, kompania filloi me prodhimin e filmave të shkurtër të animuar, përpara se të transformohej në një nga gjigandët më të mëdhenj të industrisë së argëtimit në mbarë botën.
Përgjatë më shumë se një shekulli, Walt Disney ka krijuar disa nga personazhet më të dashur dhe filmat më të famshëm në historinë e kinematografisë, sidomos për fëmijët. Ndër ta përmenden:
-Mickey Mouse (1928) – maskota ikonike e kompanisë, që solli suksesin e parë të madh.
-Snow White and the Seven Dwarfs (1937) – filmi i parë i gjatë i animuar në histori.
-Pinocchio, Cinderella, Peter Pan, The Jungle Book, e shumë të tjerë.
Me kalimin e viteve, kompania u zgjerua përtej filmave të animuar, duke krijuar parqe argëtimi (si Disneyland dhe Walt Disney World), filma artistikë, kanale televizive (si Disney Channel), dhe duke blerë kompani të mëdha si Pixar, Marvel, Lucasfilm (Star Wars) dhe 20th Century Fox.
Sot, asetet totale të Disney kapin vlerën mbi 100 miliardë dollarë, duke e bërë atë një nga kompanitë më të fuqishme në botë. Ajo është shpallur vazhdimisht si një nga bizneset më të suksesshme të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, me ndikim të thellë në kulturën popullore globale.
Përgatiti: L.Veizi
