Last Updated on 18/09/2025 by adminfjala
Një vit më parë, zemra e Gerti Bogdanit pushoi! Mesditën e 18 shtatorit të 2024, në ambientet e “Rogner Hotel” politikani i njohur demokrat, tironsi i mirë, bashkëshorti dhe babai shembullor, u ndje papritur keq.
Zemra e Gertit ndaloi së pushuari në moshën 44-vjeçare, duke prerë si me thikë në mes të gjitha ëndrrat e pambaruar të Bogdanit e duke lënë në hidhërim të thellë familjarët e tij, kolegët e miqtë e tij të cilët përgjatë gjithë jetës i pati të shumtë.
Në momentin kur dhe Bogdani u ndje keq ishte në shoqërinë e kolegëve të tij, teksa bëhej gati për një takim zyrtar kur ka pësuar një goditje në zemër.
44-vjeçari u dërgua menjëherë me autoambulancë në spital ,por mjekët nuk mundën që ta rikthejnë atë në jetë.
Ky vit nuk ka qenë aspak i lehtë për Edlirën, bashkëshorten e Gertit dhe dy fëmijët e tyre të mrekullueshëm, Ajrën dhe Reinartin. Por, edhe pse me shpirtin e bërë “copë e çikë” ata po vazhdojnë të jetojnë me dashurinë e madhe që Gerti u la pas, ashtu si dhe vetë bashkëshortja e tij Edlira e ka thënë disa herë. Përmes shkrimeve, daljeve televizive ajo ka treguar se sa shumë i mungon shoku i saj i jetës, gjysma e saj më e mirë. Për Edlirën dhe fëmijët dashuria e tij është akoma aty, por këshillat e tij, jo.
“Mua patjetër që më mungon gjysma ime më e mirë. Por, ai ka lënë aq shumë dashuri pas për mua dhe fëmijët sa ne na duket sikur është aty. Pra, na ka lënë dashuri sa për tre jetë. Sado i shkurtër apo i gjatë të jetë ky rrugëtimi pa Gertin, nuk do të jetë asnjëherë pa Gertin.
Ne do ta kemi aty dhe e vetmja gjë që na mungon është kjo pjesa, na mungojnë këshillat që i kishte gjithmonë të sakta, këto parashikimet politike që i kishte gjithmonë të sakta. Dhe më mungon kjo pjesa e kësaj dëshirës, kënaqësisë që dhe ti kur arrin gjëra të vogla, i ndanim gjithmonë bashkë dhe mua më mungon kjo pjesa që nuk i ndaj me të njësoj si më përpara. Ishte një nga mbështetësit e mi më të fortë”, ka thënë ajo më herët. m.p.
