Më 3 nëntor 1918, në fundin e Luftës së Parë Botërore, u nënshkrua Traktati i Paqes në Villa Giusti midis Austro-Hungarisë dhe Italisë, në një vilë pranë qytetit Padova. Ky traktat shënoi fundin e luftimeve në frontin jugor alpin, ku për katër vjet me radhë ishin zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme të konfliktit, veçanërisht përgjatë vijës së Isonzos dhe në malet Dolomite.
Sipas kushteve të traktatit, Austro-Hungaria pranoi dorëzimin e menjëhershëm të ushtrisë së saj në Itali dhe tërheqjen e trupave nga territoret që më pas do t’i kalonin Italisë, si Trentino, Tirolli i Jugut, Trieste dhe Istria.
Kapitullimi hyri në fuqi më 4 nëntor 1918, një ditë përpara armëpushimit të përgjithshëm midis fuqive qendrore dhe Antantës.
Luftimet e ashpra në Alpet e veriut kishin lënë pas qindra mijëra të vdekur nga të dy palët – ushtarë që kishin luftuar në kushte ekstreme të motit, në ngrica, borë dhe terrene të pamundura. Shumë prej tyre u varrosën nën akull ose humbën jetën nga ortekët, më shumë sesa nga plumbat e armikut.
Traktati i Villa Giusti, përveçse vulosi shpërbërjen përfundimtare të Perandorisë Austro-Hungareze, i hapi rrugë bashkimit të Italisë së Veriut me territoret e kontestuara dhe krijoi një rend të ri politik në Europën Qendrore dhe Juglindore, me lindjen e shteteve të reja si Çekosllovakia, Hungaria dhe Jugosllavia.
Ky ishte një nga aktet që shënoi përfundimin zyrtar të Luftës së Parë Botërore për Italinë, dhe fillimin e një epoke të re në hartën politike të Europës.
Përgatiti: L,Veizi
