Last Updated on 08/08/2026 by Kesjana
23 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në zona të ndryshme të vendit, ndërsa aktualisht vetëm dy vatra mbeten nën monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 445 forca operacionale dhe 47 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë angazhuar edhe 65 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse të FA-së, 2 helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në Dajt, zjarri është fikur dhe zona vijon të mbahet në monitorim nga strukturat vendore, ndërsa në Priskë vatra është shuar plotësisht.
Operacionet janë përmbyllur edhe në Çikallesh dhe Leshtej-Collak, në bashkinë Kavajë, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nga disa bashki dhe mbështetjes nga ajri. Zjarri në Mushnik, bashkia Rrogozhinë, është gjithashtu shuar.
Ndërkohë, në Mallakastër, në zonën Ndrenie–Vlosh–Panahor, vijon operacioni për shuarjen përfundimtare të zjarrit. Vatra mbetet aktive nën kurorë në krahun verior, por po mbahet nën monitorim.
Në Plan të Bardhë, bashkia Klos, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së 5 automjeteve zjarrfikëse, 26 efektivëve të MZSH-së, forcave të Policisë, strukturave bashkiake, vullnetarëve, OSHEE-së dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Të shuar plotësisht janë edhe zjarret në Kostren 2, bashkia Berat, dhe Uruçaj, bashkia Peqin. Edhe vatrat e tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit janë neutralizuar nga strukturat operacionale.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht nuk raportohet asnjë vatër problematike që të paraqesë rrezik për zonat e banuara. Dy zonat e mbetura vijojnë të jenë nën monitorim.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje në rast të riaktivizimit të mundshëm të vatrave.Kb
