Gati 27 vjet pas masakrës së Reçakut, drejtësia në Kosovë ka nisur gjykimin në mungesë ndaj më shumë se 20 ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe, të akuzuar për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë më 15 janar 1999.
Seanca e parë u zhvillua më 31 korrik në Prishtinë, ndërsa të gjithë të pandehurit munguan, pasi ndodhen në Serbi.
Autoritetet e Kosovës kanë lëshuar fletëarreste ndërkombëtare ndaj tyre, por deri më tani nuk ka pasur bashkëpunim nga institucionet serbe.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës i akuzon të pandehurit për krime lufte kundër popullsisë civile. Sipas saj, forcat serbe rrethuan fshatin Reçak në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 1999, e bombarduan dhe më pas hynë në fshat, ku kryen ekzekutime të civilëve shqiptarë.
Viktimat, burra dhe gra të moshave të ndryshme, nuk kishin marrë pjesë në luftime.
Masakra e Reçakut u bë një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë dhe shkaktoi reagim të fortë ndërkombëtar. Ajo u dokumentua nga misioni verifikues i OSBE-së dhe u konfirmua më vonë edhe nga hetimet e Tribunalit të Hagës, i cili arriti në përfundimin se viktimat ishin civilë.
Megjithatë, autoritetet serbe vazhdojnë ta mohojnë masakrën, duke pretenduar se bëhej fjalë për një operacion të ligjshëm kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky qëndrim vazhdon të mbetet pjesë e narrativës zyrtare në Serbi.
Analiza e REL tregon se disa nga të akuzuarit kanë vazhduar të mbajnë poste publike ose janë angazhuar në jetën politike pas luftës. Disa prej tyre janë anëtarë të Partisë Progresive Serbe (SNS), kanë marrë dekorata shtetërore ose kanë marrë pjesë në aktivitete publike ku është mohuar masakra e Reçakut.
Ndër emrat më të njohur në aktakuzë është Goran Radosavljeviç, i njohur si “Guri”, i cili në kohën e masakrës mbante një funksion drejtues në forcat speciale të policisë serbe. Emri i tij përmendet edhe në vendimet e Tribunalit të Hagës si një nga komandantët e operacionit në Reçak, megjithatë ai nuk është gjykuar asnjëherë në Serbi.
Në listën e të akuzuarve figurojnë edhe ish-zyrtarë të lartë të policisë dhe ushtrisë serbe, përfshirë Obrad Stevanoviç, i cili ndërroi jetë në vitin 2025 dhe u nderua me ceremoni shtetërore në Serbi, si dhe Kërsman Jeliç, ish-komandant i Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Ushtrisë Jugosllave. Sipas REL-it, disa prej tyre kanë marrë pjesë në dokumentarë dhe aktivitete publike ku është mohuar krimi në Reçak.
I vetmi person i përfshirë në akt-akuzën e Kosovës që ndodhet aktualisht në burg është ish-shefi i Sigurimit të Shtetit, Radomir Markoviç, por ai po vuan dënim në Serbi për vrasje me motive politike dhe jo për krime lufte në Kosovë.
Ndërkohë, një nga të akuzuarit, Zoran Stanojeviç, ishte dënuar në Kosovë në vitin 2001 për krime në Reçak, por u transferua në Serbi dhe u fal nga presidenti i atëhershëm Boris Tadiç në vitin 2009.
Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mos kenë bashkëpunim të drejtpërdrejtë juridik për çështjet penale. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të gjithë të pandehurve u janë dërguar ftesa përmes mekanizmave të ndihmës juridike ndërkombëtare, por nuk është marrë asnjë përgjigje nga autoritetet serbe.
Përveç këtij procesi gjyqësor, në Kosovë po zhvillohen edhe hetime të tjera që lidhen me ngjarjet e Reçakut. Në qershor të këtij viti u arrestuan pesë shtetas serbë të dyshuar për përfshirje në operacionin e njohur si “Reçaku II”.
Masakra e Reçakut konsiderohet një nga krimet më të dokumentuara të luftës në Kosovë dhe mbetet një nga ngjarjet që ndikuan drejtpërdrejt në reagimin ndërkombëtar, negociatat e Rambujesë dhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999. /rel/kb
