**
Për më shumë se 70 vjet besohej se “Niño del Cerro El Plomo”, një mumie e ruajtur jashtëzakonisht mirë e një djali 8-vjeçar e gjetur në vitin 1954 në Andet kiliane, kishte vdekur nga hipotermia pasi ishte lënë në të ftohtin ekstrem si ofertë për perënditë. Por një studim i ri i publikuar në Science Advances tregon se ai u vra me një goditje të fortë në kokë gjatë një rituali të Perandorisë Inka. Studiuesit analizuan mbetjet me tomografi të kompjuterizuar (TAC) dhe nuk gjetën dëmtime qelizore që tregojnë ngrirje. Në vend të tyre zbuluan një dëmtim të madh në anën e majtë të ballit dhe një frakturë të kafkës pa shenja shërimi, çka tregon se djali humbi jetën menjëherë pas goditjes.
Me ndihmën e rindërtimeve 3D dhe simulimeve biomekanike, ekipi arriti në përfundimin se plagët përputhen me goditjen e një shkopi ose çekani ritual të përdorur nga një i rritur gjatë ceremonisë së njohur si Capacocha. Ky ritual ishte një nga ceremonitë më të rëndësishme të Perandorisë Inka. Fëmijët, të zgjedhur për bukurinë dhe pastërtinë e tyre, ofroheshin si flijime për hyjnitë e maleve. Analizat tregojnë se para sakrificës ata ndërmerrnin udhëtime të gjata prej qindra kilometrash, duke kaluar nëpër komunitete të ndryshme, çka e bënte ceremoninë jo vetëm fetare, por edhe një mjet politik për forcimin e pushtetit të perandorisë. Studimi rishqyrtoi edhe dy mumie vajzash të zbuluara në vitin 1976 në shkretëtirën Atakama. Ndryshe nga sa besohej më parë, analizat e reja tregojnë se ato nuk ishin mbytur me litar; shenjat në qafë rezultuan të ishin ndryshime që ndodhën pas vdekjes. Sipas studiuesve, përdorimi i teknologjive moderne si TAC, modelimi biomekanik dhe datimi me radiokarbon po ndryshon mënyrën se si kuptohet historia e qytetërimit Inka dhe ritualet e tij./FC
