Last Updated on 04/08/2026 by Kesjana
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka përshëndetur njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë prej 302 milionë dollarësh në kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF).
Përmes një reagimi publik, Nufi e cilësoi këtë zhvillim si një votë të rëndësishme besimi strategjik të SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në procesin e modernizimit të mbrojtjes shqiptare.
“Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin dhe më gjerë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve ushtarake të vendit, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë në sigurinë kolektive të Aleancës.
Ratifikimi i marrëveshjes u njoftua zyrtarisht nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, i cili thekson se financimi prej 302 milionë dollarësh synon të avancojë modernizimin ushtarak të Shqipërisë dhe të forcojë mbrojtjen evropiane në kuadër të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve./kb
