**
Një studim i mbështetur nga Fondacioni AIRC ka zhvilluar një vaksinë terapeutike që mund të përbëjë një trajtim potencialisht universal kundër melanomës metastatike. Provat e para klinike te pacientët pritet të nisin deri në fund të vitit 2026.
Imunoterapia ka ndryshuar ndjeshëm trajtimin e shumë llojeve të kancerit, duke aktivizuar sistemin imunitar për të njohur dhe sulmuar qelizat tumorale. Në rastin e melanomës, një nga tumoret më agresive, mbijetesa 10-vjeçare ka arritur rreth 50%, edhe te pacientët me sëmundje metastatike. Megjithatë, një pjesë e pacientëve nuk i përgjigjen trajtimit ose zhvillojnë rezistencë ndaj tij. Vaksina e re synon një pikë të dobët të qelizave kancerogjene. Për shkak të mutacioneve, këto qeliza prodhojnë proteina me strukturë jonormale, të cilat copëtohen në peptide dhe shfaqen në sipërfaqen e qelizës si “sinjale” që mund të njihen nga sistemi imunitar. Studiuesit identifikuan shtatë peptide të zakonshme te pacientët me melanoma dhe mbi to ndërtuan vaksinën terapeutike, e cila mund të jetë e përdorshme për shumë pacientë. Për të garantuar sigurinë, ekipi shkencor analizoi edhe sëmundje të tjera ku qelizat janë nën stres, por nuk gjeti reagime imunitare ndaj këtyre peptideve. Sipas studiuesve, ekspozimi i vazhdueshëm i tyre në sipërfaqen e qelizave është një veçori karakteristike e tumoreve. Vaksina për melanomën është prodhuar tashmë dhe testimi te njerëzit pritet të fillojë deri në fund të vitit 2026. Paralelisht, studiuesit po punojnë për një vaksinë të ngjashme kundër sarkomës. Disa nga peptidet e identifikuara rezultojnë të jenë të njëjtat si te melanoma, çka hap perspektivën për zhvillimin e një vaksine terapeutike universale kundër llojeve të ndryshme të kancerit. Strategjia është testuar më parë në mbi 150 qen me tre lloje të ndryshme tumoresh, ku ka treguar rezultate premtuese për sigurinë dhe efektivitetin. Nëse provat klinike te njerëzit konfirmojnë këto rezultate, vaksina mund të përfaqësojë një hap të rëndësishëm në trajtimin e melanomës metastatike dhe, në të ardhmen, edhe të tumoreve të tjera./FC
