Nga Leonard Veizi
Mesnata kishte mbetur mbrapa. Partizanët e Brigadës XXII Sulmuese ecnin të palodhur mes shtegut të hapur mes trupave të vrarë gjermanë, pas një beteje të ashpër për të marrë nyjën hyrëse që të çonte drejt qytetit të madh të veriut. Ndërkohë, formacionet e tjera të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishin kapur pozicionet rrethuese, duke ngushtuar hapësirën e mbrojtjes së forcave të fundit të Rajhut të Tretë. Këta të fundit, të ngarkuar me të plagosur dhe me pajisje të shpëtuara me ngut, po tërhiqeshin drejt Malit të Zi, ku pozicionet u dukeshin më të sigurta. Mëngjesin e 29 nëntorit 1944, Shkodra – qyteti i fundit nën kontrollin e trupave të gruparmatës “E”, të përbërë nga Korpusi XXII dhe Divizioni 133 – ra në duart e partizanëve shqiptarë. Me çlirimin e saj, Shqipëria shpalli veten, më në fund, të lirë…
…Në krahasim me shtetet e tjera të përfshira në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria zë një vend të nderuar: për një popullsi të vogël, numri i dëshmorëve ishte i madh; ndërkohë që mobilizimi popullor arriti në rreth 70 mijë vullnetarë, ku morën pjesë edhe mbi 6.000 gra e vajza – një përmbysje e zakoneve të vjetra dhe një kapitull i ri në rolin e gruas shqiptare. Tirana mbetet i vetmi kryeqytet në Evropë që u çlirua pa ndihmë të huaj; po ashtu, i gjithë territori shqiptar doli nga lufta pa asnjë ndërhyrje nga ushtritë aleate. Forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare morën më pas urdhër të kapërcenin kufijtë, për t’u dalë në ndihmë popullsive të Malit të Zi e të Kosovës. Me moton “Deri në Berlin”, mbi 20 mijë luftëtarë shqiptarë luftuan përtej kufijve shtetërorë.
Nga dëshmia e Nexhmi Menzelxhiut
Nexhmi Menzelxhiu, kuadër i Brigadës XXII Sulmuese, ka dëshmuar se çlirimi i Shkodrës më 29 nëntor 1944 ishte një fakt historik i padiskutueshëm, i arritur nga katër brigadat partizane të Divizionit II. Më 28 nëntor, brigadat XXII, VII, XXIII dhe VI “S” morën pjesë në operacionin për çlirimin e qytetit, i cili mbrohej fort nga forcat naziste dhe mercenarë ballistë e xhandarë, me një praparojë të vlerësuar rreth 4000 vetë. Tërheqja e Grup-Armatës “E” ishte pjesë e një manovre strategjike drejt Austrisë, për të shmangur rrethimin nga Ushtria Sovjetike.
Sipas tij, Batalioni i Brigadës XXII luftoi gjatë gjithë ditës së 28 nëntorit për kapjen e urës së Kirit, përballë rezistencës së fortë gjermane dhe mjeteve të blinduara. Pas një pushimi të shkurtër zjarri gjatë natës, rreth orës 01:00 u dëgjua një shpërthim i madh — besohej se gjermanët kishin hedhur në erë urat kryesore të Bunës dhe të Baçallëkut. Me agimin e 29 nëntorit, forcat partizane kaluan në sulm dhe, bashkë me batalionin e dytë, hynë të parat në Shkodër përmes Zallit të Kirit, lagjes Sereq dhe Arrës së Madhe, të shoqëruar nga guerilas vendas për të shmangur minat. Ndërkohë një pjesë tjetër e batalionit, në Kodrat e Dobracit, goditi praparojën gjermane duke kapur 30 robër të dorëzuar e të demoralizuar.
Në luftime ranë dëshmorë Faik Trenova, Irakli Toçi, Zef Pjetër Tanushi dhe Ndue Tanushi, ndërsa u plagosën disa të tjerë. Banorët e Shkodrës pritën partizanët me entuziazëm; komisari Irfan Çelkupa mbajti një fjalim nga ballkoni i Bashkisë, dhe nata u kalua mes festimesh në shtëpitë e qytetarëve.
Menzelxhiu thekson se dokumente të shumta arkivore shqiptare e gjermane, deklarime të historianëve vendas e të huaj, si dhe mesazhe zyrtare ndërkombëtare të asaj kohe, e konfirmojnë pa asnjë dyshim datën 29 nëntor 1944 si ditën e çlirimit të Shkodrës. Ai përmend edhe një deklaratë të vonshme të kolonelit gjerman Hofman, në bazë të dokumenteve të Bundesverit, që po ashtu dëshmon se forcat naziste kanë lënë Shkodrën vetëm në mëngjesin e 29 nëntorit.
Nga dëshmia e Sherbet Karulit
Sherbet Karuli, ish-zëvendëskomandant i Mbrojtjes Bregdetare, ka rrëfyer për rolin e tij dhe të Brigadës XXII Sulmuese në çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Ai, atëherë rreth 16 vjeç, ishte komandant toge në Batalionin 4 dhe mori pjesë në luftimet e ashpra për të marrë urën e Baçallëkut dhe hyrjen në qytet. Luftimet për Shkodrën ishin intensive; gjermanët kishin urdhëruar italianë të minonin qytetin, por ata nuk e zbatuan urdhrin, dhe gjermanët i ekzekutuan italianët nga inati.
Batalionet partizane sulmuan qytetin mëngjesin e 29 nëntorit, duke kapërcyer rezistencën gjermane dhe hyrë në Shkodër. Në orën 07:30, komisari i Batalionit I, Irfan Çelkupa, ngriti flamurin kombëtar në ballkonin e ish-Bashkisë, duke shpallur çlirimin e plotë të qytetit. Pas fjalimit të tij, u zhvillua parakalimi i forcave partizane të brigadave pjesëmarrëse VI, VII, XXII, XXIII, XXIV dhe XXVII. Karuli thekson se dëshmitarët e drejtpërdrejtë, si ai dhe shokët e tij, mund të vërtetojnë orën dhe datën e çlirimit, të konfirmuar edhe nga dokumente gjermane që tregojnë tërheqjen e forcave të fundit naziste më 29 nëntor 1944.
Dokumenti
Gjermanët saktësojnë historinë shqiptare
Koloneli gjerman VVolfram D. Hoffman, në shkurtin e vitit 2002, i ka dhuruar ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Pëllumb Qazimi, dokumentin e largimit të ushtrisë gjermane nga Shqipëria. Kjo datë është 29 nëntori, ku Korpusi i XXI alpin, nën drejtimin e gjeneralit të këmbësorisë, Ernst von Leyser ka lëshuar qytetin e fundit të Shqipërisë, Shkodrën. Plani për largimin nga Ballkani e korpuseve gjermane është i treguar në “Ditarin e Luftës” së komandantit suprem “Juglindje”, në Agram, I a-KTB Nr.3, faqja 673 e 30 nëntorit 1944, mbi situatën në “Frontin e Adriatikut”. Këto janë pjesë e njoftimeve të Vermahtit gjerman më 30 nëntor 1944, që janë cituar edhe nga Mehner Kurt në “Njoftimet Ditore” sekrete të drejtuesve gjermane në Luftën e Dytë Botërore 1939-‘45, volumi 11.01.09-31.12.1944, Osnabruck 1984. Janë materiale shumë profesionale dhe përfshijnë të gjithë teatrin e luftimeve, që zhvilloheshin në ditët e fundit të nëntorit 1944 në Ballkan. Kryesisht në dokumentin e paraqitur janë qytete në ish-Jugosllavinë dhe vendet afër Shkodrës. Në këtë kuadër tregohet edhe largimi nga qyteti i Shkodrës, më datën 29 nëntor, të korrpusit alpin gjerman. Sipas dokumenteve urdhri për tërheqjen nga Shqipëria u dha më 3 tetor 1944. Korpusi i XXI alpin, nën drejtimin e gjeneralit të këmbësorisë, Ernst von Leyser – pjesa e grupit E të FT, e dislokuar në “Frontin e Adriatikut”, – lëshoi më 29.11.1944 qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. Prandaj kjo datë mund të quhet si fundi i pushtimit të Shqipërisë.
