Last Updated on 03/11/2026 by Anisa
Një 29-vjeçar, i paraqitur në gjendje kritike në Kardiologjinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka arritur të shpëtojë pas një ndërhyrjeje urgjente të ekipit mjekësor të Hemodinamikës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë detaje nga ndërhyrja që i shpëtoi jetën të riut, i cili kishte pësuar një infarkt akut.
Sipas saj, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, 29-vjeçarit iu dhanë 15 goditje elektrike, ndërsa mjekët kryen edhe një ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e arteries kryesore të zemrës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe punës së ekipit mjekësor, i riu tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe po rikuperohet nën kujdesin e mjekëve.
Në reagimin e saj, Spahiu shprehu mirënjohjen për mjekët Dr. Donald Mançe dhe Dr. Gentian Mehmeti, si dhe për të gjithë ekipin e Hemodinamikës që u angazhua në këtë rast.
