Modelja shqiptare Angela Martini ka konfirmuar publikisht ndarjen nga bashkëshorti i saj, biznesmeni rumun Dragos Savulescu, duke u dhënë fund spekulimeve që prej muajsh qarkullonin për marrëdhënien e tyre.
Përmes një postimi në Instagram, Angela ka bërë të ditur se historia e tyre e dashurisë i përket tashmë së kaluarës. Megjithatë, pavarësisht ndarjes, ajo ka theksuar se djali i tyre do të mbetet gjithmonë përparësia më e madhe për dyshen.
“Pas një kapitulli shumë domethënës së bashku, marrëdhënia jonë ka marrë fund. Djali ynë mbetet dhurata më e madhe e kohës sonë së bashku dhe lumturia e mirëqenia e tij do të jenë gjithmonë prioritet”, ka shkruar modelja.
Madje, nuk mungoi as një urim i përzemërt.
“I uroj Dragosit lumturi. Ju falënderoj për mirësinë dhe për respektimin e privatësisë sonë”, ka përfunduar ajo.
Pikëpyetjet për marrëdhënien e çiftit nisën që në tetor të vitit 2025, kur mediat ndërkombëtare raportuan se modelja kishte nisur procedurat e divorcit pas afro tetë vitesh martesë. Sipas TMZ, në dokumentet gjyqësore si arsye për ndarjen ishin përmendur dallimet e papajtueshme.
Megjithatë, disa shfaqje të përbashkëta në rrjetet sociale në fillim të vitit 2026 kishin rikthyer dyshimet se Angela dhe Dragos mund të ishin pajtuar dhe t’i kishin dhënë një tjetër mundësi marrëdhënies.

Çifti u martua në dhjetor të vitit 2017 dhe nga lidhja e tyre kanë një djalë, Kyree. Me deklaratën e fundit, Angela Martini ka konfirmuar se ndarja është tashmë përfundimtare, duke mbyllur kështu spekulimet që kanë shoqëruar jetën private të çiftit gjatë muajve të fundit./k.m
