Njerëzit po flasin gjithnjë e më pak dhe kjo po ngre shqetësime te shkencëtarët për mënyrën se si ky ndryshim mund të ndikojë në trurin dhe shëndetin tonë.
Një studim i fundit ka zbuluar se amerikanët dhe banorët e disa vendeve të tjera po përdorin rreth 300 fjalë më pak në ditë, ose rreth 2-3 minuta më pak bisedë, çdo vit. Rënia është veçanërisht e dukshme te personat nën 25 vjeç.
Sipas të dhënave, nga viti 2005 deri në vitin 2019, numri i fjalëve të folura gjatë ditës ra me 28%.
Shkencëtarët ngrenë pikëpyetje për ndikimin e telefonave inteligjentë, mesazheve, punës në distancë dhe teknologjive të tjera, të cilat na lejojnë të kryejmë gjithnjë e më shumë aktivitete pa pasur nevojë të flasim me njerëzit.
Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, të folurit ka qenë mënyra kryesore për të komunikuar. Të blesh diçka, të kërkosh rrugën, të njohësh dikë, të punosh apo të ruash një miqësi kërkonte komunikim të drejtpërdrejtë.
Sot, në shumë situata, të folurit është bërë thjesht një zgjedhje. Mund të porosisim përmes një ekrani, të komunikojmë me mesazhe apo të punojmë pa qenë fizikisht pranë të tjerëve.
Kjo nuk do të thotë se përdorimi i teknologjisë shkakton demencë. Por studiuesit paralajmërojnë se rënia e bisedave të zakonshme mund të jetë pjesë e një ndryshimi më të madh në mënyrën se si truri stimulohet përmes ndërveprimit me njerëzit.
Edhe fenomeni i quajtur “Gen Z stare”, shikimi bosh dhe pa reagim që shpesh i atribuohet të rinjve, është bërë objekt shakaje pikërisht sepse lidhet me një realitet: po flasim, fjalë për fjalë, gjithnjë e më pak./ad
