Do ishte bukur sikur bisedat me njerëzit të rridhnin gjithmonë natyrshëm, pa menduar dy herë çfarë të thuash apo si po dukesh. Por realiteti është tjetër: edhe njerëzit më socialë futen në momente të sikletshme. Diferenca është se ata dinë si ta kalojnë situatën pa panik dhe pa e bërë më keq.
Ja disa nga “hilet” që përdorin zakonisht:
1. Mbajnë kontakt me sy, por jo në mënyrë të frikshme
Kontakti me sy tregon interes, vetëbesim dhe sinqeritet. Njerëzit që komunikojnë mirë nuk hedhin vetëm një shikim të shpejtë dhe pastaj shmangin sytë. Ata të shohin aq gjatë sa të krijohet realisht lidhje në bisedë.
Një truk i thjeshtë? Përqendrohu te ngjyra e syve të personit ose te mimikat e tij, në vend që të mendosh “çfarë duhet të them tani”.
2. Përdorin gjuhën e trupit për të treguar interes
Nuk ka nevojë për gjeste teatrale. Shpesh mjafton të afrohesh pak gjatë bisedës, të kthesh trupin drejt personit tjetër, të tundësh kokën kur dëgjon apo të mbash një qëndrim të hapur dhe të relaksuar.
Këto sinjale të vogla e bëjnë tjetrin të ndihet i dëgjuar dhe e mbajnë bisedën më të ngrohtë, edhe kur ka momente pauze apo sikleti.
3. Përshtatin energjinë me personin tjetër
Njerëzit me aftësi të mira sociale nuk hyjnë menjëherë “100-sh”. Ata fillimisht shohin ritmin dhe energjinë e personit tjetër dhe pastaj përshtaten me të.
Nëse dikush është i qetë dhe rezervuar, nuk ka pse të sillesh sikur je në skenë koncerti. Dhe anasjelltas. Ideja është të dukesh natyral, jo i sforcuar apo tepër entuziast.
4. E mbyllin bisedën po aq mirë sa e nisën
Shumë njerëz fokusohen vetëm te hyrja e parë, por mënyra si mbyllet një bisedë lë shpesh përshtypjen më të fortë.
Në vend të një “mirupafshim” të thatë, njerëzit karizmatikë zakonisht thonë diçka më personale, si:
“U kënaqa që të takova” ose “Ishte shumë bukur kjo bisedë”.
Edhe përdorimi i emrit të personit në fund e bën komunikimin të ndihet më i afërt dhe më i ngrohtë./mxh
