Aktorja amerikane Claire Danes, e njohur për rolin e saj si Carrie Mathison në serialin Homeland, është rikthyer me një rol të fuqishëm në thrillerin e ri të Netflix-it, “The Beast in Me”. Aty ajo interpreton një shkrimtare, Aggie Wiggs, e cila përfshihet në një marrëdhënie të rrezikshme me një fqinj misterioz – një zhvillues pasurish që mund të ketë vrarë gruan e tij të parë.
Danes përshkruan personazhin e saj si “një grua inteligjente, e thellë dhe e plagosur, që s’ka më shumë për të humbur”. Ajo thotë se i pëlqeu ideja e një shkrimtareje që mund të jetë po aq e rrezikshme sa një vrasës – një duel mendor mes dy njerëzve të thellë dhe të errët.

Në intervistë, Danes thekson se marrëdhënia mes personazheve nuk është romantike apo seksuale: “Ata janë si dy shpirtra binjakë, por kundërshtarë. Seksi nuk është pjesë e lojës, dhe kjo ishte diçka e re për mua si aktore.”
Në film, Aggie është lesbike – dhe pyetur nëse ishte e shqetësuar për të luajtur një rol queer si aktore heteroseksuale, Danes thotë: “Jo, nuk isha, ndoshta duhej të isha, por s’jam penduar.”
Aktorja reflekton edhe për karrierën e saj të gjatë: nga “My So-Called Life” (1994), ku ajo ishte 14 vjeç dhe luante përballë Jared Leto-s 21-vjeçar, deri te “Romeo + Juliet” (1996) me Leonardo DiCaprio. Ajo pranon se si adoleshente ndjehej e pasigurt dhe e papërvojë në skena dashurie, por thotë se mjedisi ishte profesional dhe i sigurt. “Kisha vështirësi të kuptoja edhe udhëzimet e skenave romantike – isha një vajzë që sapo po njihte botën,” tregon ajo.
Danes kujton me nostalgji përvojën në Homeland, ku luajti një agjente të CIA-s për tetë sezone. Ajo thotë se seriali ishte unik sepse “pasqyronte politikën në kohë reale”, diçka që sot është më e vështirë për televizionin amerikan.
Megjithatë, ajo mbetet optimiste: “Nëse do të duash të bësh një serial të tillë, thjesht e bën. Si të veshësh një fustan balloje – nëse e do, e vesh.”
Tashmë 46 vjeç, Danes është edhe producente e projektit të ri dhe shprehet e lumtur që ka fituar pjekurinë dhe ndikimin për të zgjedhur historitë që do të tregojë.
Ajo thotë se sukseset dhe çmimet janë dytësore për të: “Më intereson puna vetë – të tregoj histori që më frymëzojnë. E gjitha tjetra është zhurmë.”
Burimi: theguardian.com/ Intervistoi: Emine Saner/ Përgatiti për botim: L.Veizi

