Last Updated on 08/12/2024 by adminfjala
Komisioni Evropian ka konfirmuar se vendet që përmbushin kushtet e nevojshme mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian pa pritur për një datë të caktuar. Shqipëria synon të arrijë këtë qëllim deri në vitin 2027, një ambicie që ka marrë mbështetjen e Komisionit.
Zyrtari i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Piotr Cichoki, deklaroi:
“Shqipëria ka sinjalizuar synimin për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Komisioni është i gatshëm të mbështesë këtë objektiv ambicioz. Vendet që përmbushin kriteret mund të anëtarësohen pa pritur për një datë të caktuar.”
Komisioni theksoi se çdo vend kandidat duhet të anëtarësohet kur të jetë plotësisht i gatshëm, duke përmbushur kriteret e përcaktuara nga Traktatet e BE-së dhe Konkluzionet e Këshillit Evropian të Kopenhagës të vitit 1993. Për Shqipërinë, fokusi kryesor mbetet në reformat e orientuara drejt BE-së, veçanërisht në:
1. Forcimin e sundimit të ligjit;
2. Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
3. Garantimin e të drejtave themelore, përfshirë lirinë e medias, të drejtat pronësore dhe mbrojtjen e pakicave.
“Zgjerimi është rikthyer si një nga prioritetet kryesore të BE-së për periudhën 2024-2029. Procesi i anëtarësimit bazohet në përmbushjen e reformave dhe maturimin e shoqërisë dhe ekonomisë drejt standardeve evropiane,” përfundoi Cichoki./ S.M