Majlind Habibi do të dalë këtë të premte para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë, pas vrasjes së shokut të tij Branko Shkoza, më 2 dhjetor në Durrës.
Prokuroria e Durrësit ka kërkuar arrest në burg, ndërsa e akuzon 35 vjeçarin për vrasje me paramendim dhe fshehje të krimit.
Ngjarja ndodhi më 2 dhjetor, teksa Habibi shtyu Shkozën në një kanal të ujërave të zeza, e më pas u largua. Trupi u gjet me 5 dhjetor dhe nuk u konstatuan shenja dhune, por më pas nga ekspertiza, dëshmitë dhe provat e grumbulluara nga grupi hetimor u vërtetua se ngjarja është kriminale.
Habibi deklaroi para policisë arsyet që e çuan drejt këtij akti kriminal, duke u justifikuar me pretendimin se Shkoza, në këtë rast viktima e ngjarjes, i kishte ngacmuar gruan. Ai është përpjekur duke i kërkuar që mos ta bënte këtë veprim, por ka marrë injorimin e tij, me 33 vjeçarin që më pas e ka ofenduar.
/E.S