Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nepërmjet një postimi në rrjetet sociale. Meta shprehet se ai këtë betejë do ta fitojë “jo vetëm për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës por kundër narkoshtetit, mafias ndërkombëtare dhe rajonale, që me çdo kusht synon të më mbajë të izoluar në mënyrë ekstreme”.
Meta shton se ai u rrëmbye nga policia dhe po mbahet në izolim për të dëmtuar Partinë e Lirisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Ky rrëmbim banditesk dhe izolimi im ekstrem në vit elektoral dhe në prag të dekretimit të datës së zgjedhjeve u bë në funksion për të më pamundësuar ushtrimin e plotë të detyrës time si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend prej 20 vitesh.
SPAK ka marrë detyrën të më hetojë politikisht dhe të më izolojë pa asnjë akuzë dhe provë penale vetëm për t’i shërbyer verbërisht padronit të tij të vërtetë, Kryeministrit Edi Rama, në dëm të konkurrencës dhe një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në 11 Maj 2025”, thekson ish-kreu i shtetit.