Pyetja e Adit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Edison Ypi

Pyetja duhet të jetë sa më e shkurtër.

Pyetja më e gjatë se tre fjali, s’është pyetje, është pjerdhje.

Që pyetja duhet më e shkurtër se përgjigja, është aksiomë, është evidente, është po aq e vërtetë sikur të thuash “Pjesa është më e vogël se e tëra”.

I vetmi konduktor televiziv që thur e çthur pyetje kilometrike të papërgjegjshme shumfish më të gjata se përgjigja, nuk është Fevzi Varkari, as Qukapik Tjerrleshi, as Gazep Teritali, as Tarallak Karipllari, por Adi Krasta.

Pyetja e Adi Krastës është aq e gjatë sa ta kall datën, ta ngjeth mishin, ta shti tmerrin, ta shterr durimin, ta nxin jetën.

Pyetja e Adit është një lumë plot llum mediokriteti, më i gjatë se Misisipi, më i pisët se Lana, më zevzek se Erzeni, që përdridhet nëpër kthesa, kalon nën ura, futet nëpër vrima, zgëqe, zgafella, trashet para pengesave, fëlliq toka, shtëpira, ara, turpëron, skuq e zverdh njerëz e shtazë, ç’ti dalë përpara.

Pyetja e Adit duket edhe si një litar i gjatë me lak që Adi e vërvit në erë e ua hedh kreaturave donkishoteske që i zënë rrugën, ndërsa kaubojsat kapin kuajve e egër për t’i zbutur. Adi, me pyetjen litar, lidh e zgjidh kuaj imagjinarë, gomerë hipotetikë, mushka të pabindura, pela të hazdisura, nëpër hunj, shtylla, çengela. Pyetjen si litar mbi të cilin Nastradini thau miellin, Adi e përdor për të nderë e për të tharë lëvere, rroba të palara, brekë të pista, çorape leshi, kanotjere të djersitura, sa edhe për ngjitje alpinistike drejt majave shkëmbore të vështira, ose për të kërcyer degë më degë si Tarzani, a për tu hedhur me litar nëpër oborre si kalamajt, gocat sidomos.

Tjetër pyetje e gjatë që bën Adi, është dhe pyetja si tel me gjëmba, ajo që shërben për ta mbrojtur Shqipërinë e rrethur nga armiqtë, nga pushtuesit, sunduesit, kolonizatorët, ata që i kanë halë në sy fitoret tona, ambasadorët perëndimorë, nga ndërhyrjet e tyre në punët tona të brendëshme, të cilëve, përmes pyetjes tel me gjëmba Adi me stilin e tij sa brillant dhe të pjerdhur kalitur mbi kudhra OJQ-sh, u vë kufirin te thana, i frikson, i tmerron, i kërcënon se perëndimit që na merr të ligat, s’i dorzohemi, kaq ta bëjnë dhëmbin e qenit.

Nuk janë të rralla rastet kur për arësye krejt të mistershme pyetja e Adi Krastës është një gjarpër nga ata që pa i bërë tërr syri gëlltisin ngadalë një derrkuc të gjallë me gjith këmbë e feçkë.

Lexo edhe :  Orgjia e armatimit të BE-së/ E keqja e nevojshme apo pranimi cinik i militarizmit?

Pyetja e Adit është e gjatë jo vetëm kur është e shtrirë por edhe kur është e mbledhur lëmsh nga ata që ça s’kanë brenda: Narrativë komuniste, letërsi të vdekur, klishè të harruara, situata të pluhurosura, fjalë të përgjumura, stile të vdekur, hile të ngordhura, intriga të telendisura, soc-vargje të lodhur, poema të helmatisura, rraqe, këpucë të vjetra, brisqe rroje, brekë me arna, prezervativë të grisur, tesha të palara, dhëmbë të rëna, proteza gjymtyrësh të thyera, kocka reumatike të ënjtura, çizme llastiku minatorësh të shqyera, sy të nxjerrë, kokërdhokë të dalë, gojë të çapëlyera, pankreasë të tharë, veshka të bllokuara, prostata të vjetëruara, tru të kalbur, zemra pa gjak, vena të kalcifikuara, vidha të munguara, gozhdë të ndryshkura, pranga, kamzhikë, shkopinj gome polici, e të tjera e të tjera.

Ndonjëherë pyerja e Adit bëhet edhe ketër që kërcen degë më degë. Madje edhe shqarth që zhduket para se të duket. Ka raste që bëhet dhe sorkadhe që loton para se të ngordhi nga plumbi që e qëlloi gjahtari.

Ama, ç’është e vërteta, më së shpeshti, pyetja e Adit është një curril i gjatë shurre me të cilin fillimisht Adi me rrush në dorë mbush një pellg në dysheme, pastaj del përjashta e vret e pret me shurrë nxjerrl nga rrushi si me shpatë nxjerrë nga këllëfi armiqtë e tradhëtarët që braktisën varkën dhe e katandisën partinë sa një gogël.

Tani do të bëj një pyetje, i thotë Adi të ftuarit mbledhur grusht nga frika e bombardimit me topa balte që po avitet, kështu e ashtu, përposht e përpjetë, sepse këtë e atë, për shkak të asaj e kësj, këtu e këtje, e qysh e tek, e mbarë e prapë, derisa durimi i shikueve të shterret, djersa të dali, gjaku të shpërthejë, mërzitja të mbulojë, dëshpërimi të përpijë, deri në bërtitje, deri në klithje, deri në uluritje, deri në dhimbje, deri në babylon të kuptimeve, harrim të gjuhës, avullim të arsyes, rrebelim të logjikës, shpartallim të otografisë, derisa të mos mbetet shqiptar pa u bindur se Adi Krasta, duke shkapërdhyer gjuhën, shkelur etikën, asgjësuar kulturën, mos përfillur publikun, mund të arrijë të bëjë sa të dojë dallavere politiko-mediatike-ekonomike, por pyetje për së mbari të ftuarit në studio, kurrën e kurrës.

Të fundit

Pas tre orësh, mbyllet protesta e opozitës, deputetët e PD-së nisen drejt selisë blu

Mosbindja civile e opozitës në pesë pikat kyçe të kryeqytetit, konkretisht në Sheshin Willson, Pallati me Shigjeta, Zogu i...

Pas rreth dy orësh, Berisha njofton mbylljen e protestës: Përgatitemi për “next”

Pas rreth dy orësh Sali Berisha ka njoftuar mbylljen e protestës së kësaj të hëne. Ai u shpreh se protestat do të vazhdojnë deri në...

Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?

Nga Kreshnik Spahiu Sot opozita protestoi për të rrëzuar qeverinë apo bashkinë? Prej 10 muajsh Partia Demokratike ka hequr dorë nga protestat para kryeministrisë dhe rreshtohet...

Protesta e opozitës/ Çupi: Kjo është vdekja e një partie

Analisti Frrok Çupi ka komentuar protestën e opozitës, e cila po vazhdon që prej orës 17:00. Ai ka thënë në “Edicionin Qendror” në ABC News...

Vendi ynë prej dekadash vuan nga rrjedhja e trurit!

Ndërsa Shqipëria prej dekadash po vuan nga rrjedhja e trurit, shtetet fqinjë, Greqia dhe Italia, ku kanë shkuar pjesa më e madhe e shqiptarëve,...

Lajme të tjera

Web TV