Nga Denis Dyrnjaja
Në debatin politik shqiptar herë pas here rikthehet ideja e një qeverie teknike. Shpesh kjo paraqitet si një zgjidhje neutrale, por realiteti kushtetues dhe politik është krejt tjetër dhe kushtëzon rrugën institucionale ndryshe nga muhabetllarët mediatikë apo poltikë.
Pyetja e parë dhe bazike është kush do ta krijojë qeverinë teknike? Në një republikë parlamentare si e jona, qeveritë nuk krijohen nga ekspertët, nga analistët apo nga dëshirat e aktorëve politikë jashtë institucioneve. Ato krijohen nga shumicat parlamentare që kanë numrat për t’i votuar ato për t’i dhënë legjitimitet kushtetues.
Kjo do të thotë se çdo qeveri teknike ose jo, pavarësisht emrit që mund t’i vihet, duhet të marrë miratimin e Kuvendit të Shqipërisë. Në kushtet aktuale, kjo do të thotë se ajo nuk mund të marrë fuqi ekzekutive pa pëlqimin dhe vullnetin politik të Edi Ramës dhe të mazhorancës që ai drejton.
Pikërisht këtu qëndron edhe ngërçi. Disa e paraqesin qeverinë teknike si një alternativë ndaj Edi Ramës, ndërkohë që një qeveri e tillë, nëse do të ngrihej, do të ishte e mundur vetëm me pëlqimin dhe votën e tij politike. Prandaj, të flasësh për qeveri teknike pa sqaruar se kush e voton dhe kush e legjitimon atë, është të flasësh kuturu.
Nga ana tjetër, duhet qartësuar edhe vetë koncepti i qeverisë teknike. Një qeveri e tillë nënkupton një kabinet të përbërë kryesisht nga ekspertë ose teknikë të fushave të ndryshme, të cilët nuk përfaqësojnë drejtpërdrejt partitë politike.
Qëllimi i saj zakonisht është administrimi i një periudhe të kufizuar tranzitore ose garantimi i proceseve të caktuara me një nivel më të lartë besueshmërie publike. Por edhe ekspertët nuk qeverisin në vakum. Ata kanë nevojë për mandat politik, mbështetje parlamentare dhe legjitimitet institucional. Përndryshe, qeveria teknike mbetet një slogan pa instrumente veprimi.
Nëse kërkohet një zgjidhje ektra politiko/juridike atëherë duhet një qeveri me bazë të gjerë sesa thjesht një qeveri teknike. Një formulë e tillë do të mund të kombinonte ekspertizën profesionale me mbështetjen e forcave kryesore politike, duke krijuar kushtet për menaxhimin e një periudhe kalimtare dhe për rikthimin e besimit institucional.
Megjithatë, edhe një zgjidhje e tillë do të ndeshej me të njëjtin kusht që pa miratimin e shumicës parlamentare nuk mund të marrë fuqi kushtetuese. Prandaj, debati duhet të jetë më pak emocional apo populist dhe më shumë realist. Në fund të fundit, në kushtet e sotme politike shqiptare, edhe kriza, edhe zgjidhja e saj kalojnë përmes të njëjtit aktor vullnetit politik të Edi Ramës dhe mazhorancës që ai drejton.
Kjo mund të pëlqehet ose jo, por është një fakt që buron nga aritmetika parlamentare dhe nga funksionimi i sistemit kushtetues. Çdo diskutim serioz për qeveri teknike, qeveri tranzitore apo qeveri me bazë të gjerë duhet të nisë pikërisht nga ky realitet, të tjerat janë llogje të paditurish ose emocionesh që nuk përkthehen në pasojë poltike por konsum populist!
