Last Updated on 10/06/2026 by Kesjana
Edward McAllister, Shefi i Zyrës së Reuters për Greqinë dhe Ballkanin, ndodhet aktualisht në Tiranë dhe po transmeton drejtpërdrejt nga protesta masive kundër projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner.
Por çfarë e solli një korrespondent me fokus kryesisht në Greqi në zemër të kryeqytetit shqiptar?
Një lajm që tronditi ujërat ballkanike
Gjithçka nisi disa ditë më parë kur Gazeta Journal publikoi një lajm ekskluziv: kompania e Jared Kushner po planifikon të tërhiqet nga investimi në ishullin e Sazanit dhe të ridrejtojë fondet drejt ishullit grek Mykonos, falë kushteve më të favorshme që ofron Greqia.
Lajmi u mor nga burime pranë projektit dhe u përhap shpejt në të gjitha mediat ballkanike, duke krijuar dyshime të mëdha për fatin e projektit kontrovers në Shqipëri.
Ky zhvillim dukej se i jepte argument të fortë protestuesve, të cilët prej disa ditësh po dalin çdo natë në sheshet e Tiranës me parullën “Shqipëria nuk shitet”. Ata shprehin shqetësim të thellë për ndikimin mjedisor në zonën e mbrojtur Vjosa-Narta dhe Sazan, ku jetojnë flamingo, foka dhe breshka deti.
Megjithatë, dje Kryeministri Edi Rama i dha një intervistë ekskluzive Reuters-it, duke deklaruar se projekti do të vazhdojë pavarësisht protestave. Rama e mbrojti investimin si një mundësi të madhe për turizmin dhe punësimin, duke e quajtur Kushner dhe Ivanka Trump “njerëz të mirë e të thjeshtë”.
Pikërisht në këtë moment, Edward McAllister – i cili zakonisht mbulon zhvillimet në Greqi – u gjend në Tiranë për të raportuar live nga protesta dhe për të intervistuar Kryeministrin.
Prania e tij në terren tregon rëndësinë ndërkombëtare që ka marrë ky çështje, sidomos pas lajmit të Gazeta Journal që hodhi dyshime mbi qëndrueshmërinë e projektit/Gazeta Journal/kb
