Qeveria ka miratuar ditën e sotme vendimin për shpërndarjen e një bonusi për familjet në nevojë në vend, për festat e fundvitit.
Lajmin e ka dhënë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, e cila foli pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ajo tha se do përfitojnë 275 mijë familje, teksa zbuloi se shuma e bonusit do të jetë 15 mijë lekë. Ajo shtoi se për herë të parë këtë vit do përfitojnë edhe 18 mijë kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar.
“Me vendimin më të fundit u akordohet një shpërblim për festat e fundvitit për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social. Bonusi do të jetë në shumën 15 mijë lekë, dhe i akordohen familjeve në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror, invalidë që kanë statusin e para apo tetraplegjikut, të verbrit. Për herë të parë këtë vit edhe ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar do përfitojnë, dhe janë 18 mijë persona që gjithashtu do të marrin shpërblimin.”- tha ministrja./ S,M