Last Updated on 28/12/2024 by adminfjala
Avokatët e kryebashiakut të Tiranës dhe familjarëve të tij kanë renditur tetë pika që sipas tyre Prokuroria e Posaçme SPAK ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Reagon SPAK: Veliaj dhe të afërmit e tij në hetim për katër vepra penale.
Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe familjes së tij, kanë reaguar ndaj hetimeve të nisura nga SPAK për katër akuza, duke i konsideruar ato të pabazuara dhe në shkelje të ligjit. Hetimi që është nisur pas një denoncimi anonim, është goditur nga avokatët e kryetarit të bashkisë duke theksuar se ky proces është iniciuar pa prova të mjaftueshme dhe në mungesë të një dyshimi të arsyeshëm ligjor. Sipas tyre, hetimet janë të qëllimshme dhe të orientuara për të dëmtuar figurën e kryebashkiakut, duke përmendur se ai është hetuar pa u paraqitur një akuzë të qartë dhe pa shkelur asnjë dispozitë ligjore. Në argumentet e mbrojtjes, avokatët theksojnë se hetimet janë bazuar në një kallëzim anonim dhe informacione të dyshuara, që nuk janë mbështetur me prova konkrete. Ata po ashtu nënvizonin se, sipas ligjit, hetimi duhet të ishte regjistruar dhe duhej të kishte filluar brenda një periudhe gjashtëmujore nga momenti kur janë kryer veprimet hetimore ndaj Veliajt. Por, sipas tyre, kjo periudhë është tejkaluar. Një tjetër akuzë që avokatët bëjnë është fshehja e faktit që Erion Veliaj dhe familja e tij janë vënë nën hetim që në mars të vitit 2024. Sipas mbrojtësve të tij, ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria me argumentin se hetimi ishte i orientuar vetëm për veprën penale dhe jo për personin, por në fakt veprimet hetimore kanë qenë të përqendruara mbi individë të caktuar, duke e trajtuar atë si një hetim individual ndaj Veliajt dhe të tjerëve. Ky veprim është bërë pa njoftuar zyrtarisht për statusin hetimor të tij. Avokatët gjithashtu kanë denoncuar kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e telefonave të Veliajt dhe të tjerëve, duke e cilësuar këtë si një shkelje të drejtpërdrejtë të procedurave ligjore. Sipas tyre, sekuestrimi është kryer pa një urdhër të posaçëm gjyqësor dhe pa pëlqimin e përdoruesit, duke bërë që të shkellet e drejta për mbrojtje ligjore. Ky sekuestrim nuk ka qenë për të mbledhur prova të veprave penale, por për të kërkuar informacion që mund të përdorej për një veprim të mundshëm të supozuar, duke e cilësuar këtë si një “përpjekje për gjetje të veprës”. Pala mbrojtëse ka theksuar se, pavarësisht që Veliaj dhe Xoxa janë thirrur si “persona në dijeni”, ata kanë qenë të detyruar të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes së tyre, duke u mohuar të drejtat e mbrojtjes ligjore. Ky trajtim i tyre është cilësuar si një tentativë për të krijuar një presion të panevojshëm dhe të papranueshëm ndaj individëve të thirrur. Një tjetër çështje që avokatët kanë ngritur është përdorimi i terminologjisë “persona në dijeni” për të detyruar individët të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, një metodë që ata e konsiderojnë si një mënyrë për të përfituar informacione me presion dhe frikësim, pa respektuar të drejtat e individëve të ftuar për dëshmitarë. Po ashtu, mbrojtësit kanë akuzuar prokurorinë për tejkalimin e afateve hetimore, duke theksuar se periudha gjashtëmujore e hetimit duhet të kishte filluar nga momenti kur janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore ndaj Veliajt dhe Xoxës. Kjo ka krijuar një “amulli” për të akuzuarit dhe ka ngritur dyshime për mundësinë e shkeljeve të qëllimshme të procedurave hetimore. Një tjetër akuzë që është bërë ndaj hetimeve është se ato kanë marrë karakterin e një “përpjekje për gjetje të provave”, ku qëllimi i hetimit është më shumë për të gjetur një shkelje ligjore nga ana e Veliajt, sesa për të hetuar një vepër penale të caktuar. Ky hetim është cilësuar si një tentativë për të kapur Veliajn në një shkelje, qoftë penale apo administrative, për të justifikuar veprimet hetimore. Avokatët kanë ngritur shqetësime për publikimin e informacionit lidhur me hetimin në media, duke theksuar se ky veprim ka kontribuar në krijimin e një perceptimi të gabuar për fajësinë e Veliajt dhe ka dëmtuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Ata argumentojnë se ky trajtim ka ndikuar negativisht në procesin hetimor dhe ka cenuar drejtësinë në këtë çështje.
Reagimi i SPAK
Dy ditë pas marrjes në pyetje për rreth 5 orë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, SPAK ka dhënë informacion zyrtar lidhur me hetimin që ka nisur ndaj Kryetarit të Bashkisë, si dhe për veprat penale. SPAK në njoftimin zyrtar në lidhje me kallëzimin ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nga ana e shtetasit A. N, bën të ditur se, mbi bazën e informacionit të referimit të veprës penale datë 08.02.2024, i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka regjistruar Procedimin Penal nr. 27/2024 ndaj tij. Sipas SPAK, ky procedim fillimisht trajton veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, sipas nenit 260 të Kodit Penal. Prokuroria vijon duke njoftuar se informacioni për referimin e veprës penale ka buruar nga një kallëzim i bërë nga një shtetas i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë referuar informacionin përkatës, mbi bazën e të cilit është regjistruar procedimi penal. Në deklaratën e SPAK thuhet më tej se deri në këtë fazë të hetimit paraprak, provat e grumbulluara kanë çuar në përfundimin se ekzistojnë të dhëna konkrete që lidhen jo vetëm me korrupsionin pasiv, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.