Ministri për marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha në foltoren e Kuvendit, ku ky i fundit bëri disa akuza ndaj drejtuesve të lartë të qeverisë, kryeministrit, por edhe familjarëve të tij.
Balla i kërkoi Berishës që të mos gënjejë para shqiptarëve, por të shkojë dhe të bëjë një kallëzim në SPAK për të gjitha ata.
“Për ju nuk ka ligje e rregullave. Për ju drejtësia funksionon kur reagon ndaj kundërshtarët, por është e kapur kur vepron ndaj jush. Nuk kemi bërë komente kur drejtësia është duke vepruar. Në tetor 2023 SPAK ngriti akuzë ndaj një personi ndaj jush. Kallëzimin e bëra unë dhe nuk bëra asnjë koment. Ka një standard. Unë e kuptoj që këtu mes jush ka gënjeshtarë patologjikë. Erdhi këtu dhe ngriti gënjeshtra pa fund ndaj kryeministrit, familjes së tij, ne, kolegëve. Merri nesër dhe bëj një kallëzim në SPAK. Shko atje. Këtë e vërteton drejtësia. Shko bë kallëzim. Po ke këllqe, merri të gjitha këto dhe shko atje”, tha Balla.
Deputeti socialist reagoi dhe për drejtuesin e ri të fushatës së Berishës, i cili ka qenë pjesë e ekipit të Trump në fitoren e zgjedhjeve presidenciale, duke e cilësuar atë një person të paguar, shpenzim të cilin PD, duhet ta bëjë publik në KQZ.
“Duhet të tregoni kontratën që keni me zotërinë amerikan. Ai është një shërbim me pagesë dhe nuk vlen më shumë. Folët për ambasadoren e SHBA. Ajo ishte me firmë të Trump”, tha Balla.
Taulant Balla nuk harroi të përshëndeste dhe popullin dhe autoritetet e Kosovës për zgjedhje cilësore që zhvilloi një ditë më parë.
“Përshëndesim popullin e Kosovës për zgjedhjet me cilësi të shkëlqyer dhe mendoj se për këtë çështje kemi dakordësi. Përshëndesim partitë, policinë, popullin e Kosovës që u përfshinë në një proces model, sikurse e tha dhe BE”, përfundoi ai./e.t