Rama u bën sërish thirrje emigrantëve që të kthehen për të punuar e investuar në Shqipëri. Kreu i qeverisë thotë se nuk ka më paga 250 mijë lekë të vjetra, por niveli i tyre është si në Greqi, por ndërkohë këtu paguhen më pak taksa.
TIRANË– Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje emigrantëve që të kthehen në atdhe për të investuar. Në rubrikën ‘Sy m’Sy ‘, kryeministri iu përgjigj komentuesve të cilët po diskutonin për nivelin e pagave në Shqipëri krahasuar me ato në Greqi.
“Ata që thonë që është më mirë në Greqi nuk është e vërtetë.
Gënjeshtër unë punoj çoban dhe marr 1 mijë euro, shtëpi drita ujë i paguan pronari. Në Shqipëri në një karburant për 250 mijë lekë”, shkruan komentuesit.
Një prej komentuesve, i cili shkruante se në vendin tonë ka pas punuar me 250 mijë lekë të vjetra pagë dhe tashmë në Greqi merr 1 mijë euro, kreu i qeverisë shprehet se Shqipëria ka kaluar një fazë ndryshimesh të mëdha ekonomike dhe nuk ka më paga 250 mijë lekë të vjetra.
Rama theksoi gjithashtu se në sektori i turizmit dhe ndërtimit në Shqipëri ofron të ardhura të ngjashme me ato të Greqisë, por me taksa më të ulëta. Ai shtoi se për ata që punojnë jashtë qytetit, shumë kompani u mbulojë shpenzimet për ushqim dhe akomodim.
“Ka kohë që nuk ka më rroga 250 mijë lekë të vjetra në Shqipëri. 57% e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taksë, ndërsa 36% prej e tyre kanë nga 4-10% taksë. Kurse vetëm rroga mbi 1300 euro e kanë taksën mbi 10%. E dyta me turizëm dhe ndërtim në Shqipëri merr sa në Greqi dhe paguan më pak taksë, ndërsa kur je jashtë qytetit edhe fjetjen edhe ushqimin ta paguan kompania, këto janë fakte. Dhe me këto shpjegohet edhe kthimi i atyre që kanë filluar të kthehen dhe të punojnë në turizëm apo i atyre që kursejnë në argotizëm kursimet e tyre nga jashtë. Se ju del ku e ku më mirë”, u shpreh kryeministri Rama.
Koha ka ndryshuar edhe në Europë e botë shprehet kryeministri, duke theksuar se kostoja e jetesës është rritur aq shumë sa nuk ka më kursime si dikur. Rama thotë se për pak vite Shqipëria do jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe ata që kthehen i japin vetes mundësinë të fitojnë më shumë, para se me futjen në Union gjithçka të bëhet njësoj si kudo tjetër.
“E treta, avash me kekun dhe me byrekun, se nuk janë më kohërat që ishin. Nuk është më njësoj bota e Europa me atë që ishte deri dje. Kostoja e jetesës është rritur aq shumë sa s’ka më kursime si dikur. Secili ti shohë me qetësi opsionet e veta dhe të vendosë qoftë për tu kthyer plotësisht qoftë pjesërisht, ca kohë këtu ca kohë atje, apo qoftë duke investuar këtu e duke ndenjur atje. Të gjitha janë të mundura dhe nga të gjitha këto gjen te njerëzit që janë kthyer apo i kanë kthyer sytë nga Shqipëria. Jemi në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, për pak vite do jemi anëtarë të BE, gjithçka do të ndryshojë por kush vjen sot i jep vetes mundësinë të fitojë më shumë, përpara se me hyrjen në BE gjithçka të bëhet njësoj si kudo tjetër”, u shpreh Rama./K.K