Numri i viktimave nga epidemia e fruthit në Teksas dhe Nju Meksiko të SHBA-ve ka shkuar në dy, konfirmoi sot sekretari amerikan i shëndetësisë Robert Kennedy Jr.
Autoritetet shëndetësore të Teksasit njoftuan më herët vdekjen e parë nga fruthi në SHBA.
Bëhet fjalë për një fëmijë të pa vaksinuar, i cili ishte shtruar në spital në qytetin e Lubbock, raporton BBC.
Që nga fillimi i vitit, më shumë se 120 raste të fruthit janë regjistruar në Teksas dhe rreth 10 në shtetin fqinj të Nju Meksikos, duke rritur frikën për rikthimin e kësaj sëmundje tepër ngjitëse që u eliminua pothuajse në SHBA falë vaksinimit në vitet 1960.
Shpërthimi i rasteve të fruthit vjen pasi shkalla e vaksinimit në SHBA ka rënë pas pandemisë së Covid-19.
SHBA e shpalli fruthin të “eliminuar” në vitin 2000, por vitet e fundit janë raportuar raste në rritje për shkak të mos vaksinimit.
Vdekja e fundit nga fruthi në SHBA iu regjistrua në vitin 2015, sipas Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës.
Përhapja aktuale është e përqendruar në Teksasin veri-perëndimor, me fruthin gjithashtu të gjetur kohët e fundit përtej kufirit të shtetit në Neë Mexico, si dhe Alaska, California, Georgia, New Jersey, New York City dhe Rhode Island, sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).
Aktualisht, janë raportuar nëntë raste në New Mexico, katër prej të cilëve janë fëmijë.
4 milionë raste, përpara epokës së vaksinës
Përpara vitit 1963, kur u gjykua e perfeksionuar vaksina e fruthit, CDC-ja thotë se rreth 4 milionë amerikanë infektoheshin çdo vit nga fruthi. Deri në 500 prej tyre humbnin jetën.
Virusi i fruthit është tepër ngjitës dhe përhapet kryesisht nëpërmjet kollës dhe tështimave.
Krahas refuzimit të disa prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre, CDC-ja thotë se epidemia e tanishme ka të bëjë edhe me udhëtarë që dyshohet se e kanë sjellë virusin nga vendet ku ka epidemira të mëdha, si Izraeli, Filipinet dhe Ukraina./k.k